Meta dëshmon para komisionit hetimor
Zëri i Amerikës
10 Shtator 2019
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, deklaroi para komisionit hetimor parlamentar se anulloi zgjedhjet vendore të 30 qershorit, sepse opozita nuk po merrte pjesë dhe duhej të mbronte të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur.
Përpara komisionit parlamentar që po heton aktet e tij mbi zgjedhjet vendore, presidenti Meta përmendi precedentin e Bullgarisë në Gjykatën e Strasburgut,
“Kushtetuta jonë është e qartë, si dhe Konventa e të Drejtave të Njeriut, e sqarojnë shumë mirë dallimin midis votimit dhe zgjedhjeve”, tha zoti Meta.
Ai paraqiti vendimin e Gjykatës së Strasburgut në vitin 2015, ku zgjedhjet me një kandidat janë cilësuar si fiktive, dhe u mohojnë qytetarëve të drejtën për të zgjedhur.
“Në vitin 2015 Gjykata e Strasburgut vendosi në një çështje të ngjashme kundër Bullgarisë, ku disa shtetas bullgarë me origjinë turke pretenduan shkeljen e të drejtës së votës së tyre. Gjykata ka arsyetuar se: e drejta e votës e garantuar nga neni 3 i Protokollit nr.1 nuk është e limituar në veprimin e zgjedhjes së një kandidati dhe hedhjen e votës në kutinë e votimit. Vota e çdo zgjedhësi duhet të krijojë mundësinë e këtij të fundit të ndikojë në formimin e organeve ligjvënëse, në të kundërt e drejta e votës, procesi i zgjedhjeve dhe për rrjedhojë edhe rendi demokratik në përgjithësi, do t’i mungonte e drejta në substancën e saj. Të thuash zgjedhje me një kandidat do të thotë të bësh një proces fiktiv, pra qytetarëve u mohohet e drejta për të zgjedhur. Për këtë çështje, Bullgaria u dënua me një gjob të caktuar”, - tha zoti Meta.
Kuvendi i Shqipërisë, me kërkesë të 55 deputetëve, nisi një procedurë shkarkimi nga detyra për shkeljen e rëndë të Kushtetutës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në komisionin hetimor parlamentar, zoti Meta, theksoi se vendimi i tij për të shtyrë zgjedhjet me dekret, ishte zgjidhja e vetme në kushtet kur të dyja palët politike si tha ai, “kishin një marrëveshje për konflikt”.
Ai tha se për të ishin të papranueshme edhe kushti i vendosur nga drejtuesi i partisë demokratike, Lulzim Basha, që të mos ulej në dialog me kryeministrin Edi Rama, edhe kushti i drejtuesit të qeverisë për të mos negociuar një datë të re zgjedhjesh
Presidenti Meta tha se nuk mund të priste që të humbte jetën ndonjë polic edhe nga demonstrues të acarruar edhe “nga gjuha shpesh helmuese e kryeministrit”.
“Edhe OSBE e përmendi në raport që presidenti bëri thirrje të vazhdueshme për dialog. Bëra përpjekje, por kishte dy pengesa, e para kokëfortësia e kryeministrit për të mos diskutuar mundësinë e shtyrjes së 30 qershorit dhe së dyti kokëfortësia e kryetarit të PD për të mos u ulur në një tryezë me zotin Rama si kryeministër, të dyja për mua ishin të papranueshme, se opozita, e cila ishte larguar nga Kuvendi, nëse do të ulej në dialog për çfarë do të fliste? E papranueshme ishte edhe kërkesa e Bashës që të mos ulej me Ramën Kryeministër. Kur mora këtë vendim ishte një situatë e çmendur, të dy palët nuk mbanin asnjë lloj përgjegjësie” - tha zoti Meta.
Ai shtoi se nuk ishte dakort me opozitën, kur thonin se nuk mbajnë përgjegjësi për popullin që del në demonstrata, por s’kam qenë asnjëherë dakort as me mitingjet e qeverisë, që në thelb ishin antimitingje.
“Sa herë opozita vinte në protestë në bulevard, edhe Rama organizonte mitingje kundër opozitës pa marrë parasysh që kishte një detyrë më të rëndësishme, e pa marrë parasysh se gjuha e tij shpesh helmuese acaronte protestuesit” - tha zoti Meta.
Presidenti theksoi se duke nxjerrë atë dekret ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve shqiptarë dhe ka shmangur një proces jodemokratik të votimit me një kandidat.
“Të shtunën para se të merrja një akt të tillë, pasi u njoha edhe me dokumentet shtetërore sekrete që mund të digjej Kuvendi i Shqipërisë, në këtë moment kam bërë aktin më të mirë. E kam pasur të pamundur të thërras një tryezë, kur të dy palët kishin një marrëveshje për konfrontim ishte detyra ime të evitoja pasoja, që do t’i vuanin qytetarët shqiptarë” - tha presidenti Meta.
Ai shtoi se presidenti nuk mund të bënte gjë tjetër përveç shtyrjes së zgjedhjeve kur të dyja palët donin konfrontim, se s’mund të priste të humbte jetën një polic për të nxjerrë dekret, sepse do të ishte një faturë e madhe për stabilitetin dhe besueshmërinë e vendit.
Ndaje me miqte