Meta dekreton 13 tetorin si datën e re të zgjedhjeve lokale
ATSH
27 Qershor 2019
TIRANË, 27 qershor /ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta është shprehur se dekreti për datën e re të zgjedhjeve është 13 tetori.
Meta është shprehur se ka zgjedhur këtë datë për dy arsye.
“E para, sepse është data më e shpejtë për të organizuar zgjedhje të përgjithshme vendore gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje, por edhe sipas afateve proceduriale të jenë të përfshirë në procesin zgjedhor”, tha ai.
“E dyta, sepse, siç e kam thënë në 8 qershor kur zhdekretova datën 30 qershor që një nga kushtet ka të bëjë me garantimin e vazhdimësisë së integrimit europian të mos shkëputje të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në lidhje me çeljen e negociatave”, theksoi Meta.
“Kemi humbur mjaft kohë deri tani si nga 8 qershori edhe 10 qershori, por fatmirësisht ende në axhendën e BE është çelja e negociatave. Por vendimi i BE është më 17-18 tetor”, tha Meta.
Meta u shpreh se s’mund të detyrojë askënd të marrë pjesë në mënyrë të pavullnetshme në zgjedhje. “Presidenti i Republikës si institucion me Kushtetutë që ka përgjegjësi dhe si unitet i popullit është t’u japë mundësi të gjithëve të reflektojnë të bëhen pjesë e këtij procesi”, tha Meta.
I pyetur nëse ka marrë garancinë e kreut të PD, Lulzim Basha se ai do të jetë në zgjedhjet e 13 tetorit, Meta tha se nuk mund të detyrojë askënd të marrë pjesë pa vullnetin e tij në zgjedhje.
Ai tha se detyra e tij si President është t’u japë mundësinë të gjitha palëve për të reflektuar për t’u bërë pjesë e procesit.
Kreu i Shtetit Ilir Meta tha se e priti Kryeministrin Edi Rama në takim dhe se ka qenë i gatshëm në çdo orar për të biseduar me të.
Presidenti shprehu keqardhje për reagimin e Ramës, por tha se nuk do të humbas qetësinë. Presidenti tha se di ta ndajë anën familjare me atë shtetërore dhe institucionale.
“Për mua është tjetër gjë Monika dhe tjetër gjë Republika”, tha Meta, duke thënë se nuk ka asnjë ndikim nga bashkëshortja e tij, kryetare e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila bashkë me PD-në i ka bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit.
“Synoja të dekurajoja përshkallëzimin e tensionit, kam që në 10 qershor që kam pritur në radhë të parë kryeministrin për të diskutuar për këtë mundësi që duhet t’i jepnim partive të opozitë pjesëmarrjen në zgjedhjet gjithëpërfshirëse. Unë nuk jam këtu për të plotësuar tekat e opozitës, po jam këtu për të bërë maksimumi që të evitojmë një konflikt nga të gjitha anët. Dje në mbrëmje u detyrova që t’i kërkoja zyrtarisht dhe formalisht Ramës dhe Bashës një takim. Deri më tani për të marrë vendimin e një date të re ka qenë mungesa e reagimit nga ana e Ramës. Përgjigjja e tij ka qenë se ishte shumë i zënë me fushatë, por unë isha i gatshëm në çdo kohë për të diskutuar se për mua ka qenë më e rëndësishme paqja e vendit, imazhi i Shqipërisë, e ardhmja e vendit. Më vjen keq për reagimin e tij, por nuk do të humbasë asnjëherë qetësinë. Nuk e kam për turp që jam burri i Monikës dhe Monikën e kam gjetur në partinë që drejton sot Rama, ai e di më mirë se kushto që di të ndajë anën personale, shoqërore dhe familjare me anën shtetërore dhe institucionale, për mua është tjetër gjë Monika dhe tjetër gjë Republika”, tha Meta.
Ndaje me miqte