Meta nënshkruan dekretin për anulimin e zgjedhjeve. PS: Do ta shkarkojmë presidentin
TV TRIBUNA
10 Qershor 2019
Presidenti Ilir Meta ka nënshkruar të hënën dekretin për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Presidenti e nënshkroi dekretin gjatë një konference për shtyp që u transmetua drejtëpërdrejtë.
Meta parashtroi hollësisht arsyet që e çuan në vendimin për anulimin e zgjedhjeve, duke theksuar se kjo përbën zgjidhjen më të mirë kushtetuese, për t’u shmangur rreziku i përshkallëzimit të pasojave për shkak të krizës së thellë që po kalon vendi dhe t’u jepet shansi forcave politike të kthejnë normalitetin.
Përmes 8 pikave, Presidenti llir Meta ka shpjeguar arsyet që shtynë të merrte vendimin për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit. Në një konferencë për shtyp, që nisi ekzaktësisht në orën 08:00 sikurse e kishte paralajmëruar, kreu i shtetit theksoi se në kushtet aktuale të një krize politike, vendi rrezikohet të shkojë drejt përshkallëzimit të tensioneve.
Së pari, organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike është baza themeltare e një shoqërie demokratike. Çdo demokraci ka nevojë që herë pas here të testojë funksionalitetin dhe efikasitetin e institucioneve të saj dhe zgjedhjet janë pikërisht mekanizmi që e mundësojnë atë.
Së dyti, pjesëmarrja në zgjedhje vetëm e mazhorancës, dhe aq më tepër kur në më shumë se gjysmën e njësive të qeverisjes vendore është regjistruar vetëm një kandidat, cenon rëndë parimin kushtetues të pluralizmit mbi të cilën ndërtohet fuksionimi i shtetit të ssë drejtës.
Së treti, zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike, mund të sjellë si pasojë jo vetëm mospjesëmarrjen në zgjedhje të rreth gjysmës së votuesve, por krijon rrezikun e një konflikt civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues.
Së katërti, është e vërtetë që aspekt i rëndësishëm i zgjedhjeve është periodiciteti i zhvillimit të tyre. Kjo është e lidhur me mandatin e kufizuar që kanë organet përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore. Mirëpo, në rastin e zgjedhjeve lokale, dita e zgjedhjeve, nga pikëpamja kushtetuese, mund të tejkalojë mandatin e organit përfaqësues apo ekzekutiv të njësisë së qeverisjes vendore. Për pasojë, shfuqizimi i dekretit dhe rrjedhimisht dhe anulimi i datës së zgjedhjeve dhe shtyrja e tyre përtej periudhës zgjedhore të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, në kushtet kur bëhet për të mbrojtur vlera dhe parime kushtetuese, bazë për funksionimin demokratik të shtetit dhe institucioneve, nuk paraqet pengesa nga pikëpamja kushtetuese.
Së pesti, zhvillimi i proceseve zgjedhore në Republikën e Shqipërisë si për Kuvendin dhe ato për organet e qeverisjes vendore, kanë krijuar historikun e vet, ku nuk mungojnë rastet e preçedentëve të mëparshëm të shtyrjes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, gjithmonë në varësi të rrethanave dhe për të përmbushur një qëllim të ligjshëm.
Së gjashti, Presidenti i Republikës vlerëson të rëndësishëm faktin që, nga mosrealizimi për arsye kushtetuese të zgjedhjeve brenda afatit ligjor, të mos cenohen interesat e qytetarëve shqiptarë.
Së shtati, si President i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet politike, ai nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj dëmit të jashtëzakonshëm që kriza politike ka shkaktuar e pritet të shkaktojë edhe më shumë në ekonominë e çdo familje shqiptare dhe në mbarë vendin. Ajo ka injektuar pasiguri tek konsumatori, tek bizneset e vogla dhe të mëdha, investitorët vendas dhe të huaj, në turizëm dhe çdo aspekt tjetër të mbarëvajtjes sociale-ekonomike të vendit.
Së fundmi, zhvillimi i zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, do të shënonte ngrirjen e progresit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, do të minonte çdo mundësi për çeljen e negociatave dhe përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe do të dëmtonte imazhin e Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe si kryesues i OSBE-së në vitin 2020, kur për vetë OSBE-në çështjet e standardeve zgjedhore janë thelbësore.
PS: Do ta shkarkojmë
Qeveria reagoi menjëherë ndaj vendimit të presidentit. Ministrja për marrëdhënie me parlamentin, Elisa Spiropali, deklaroi se me vendimin e tij Presidenti ka kryer “një akt brutal ndaj Republikës”. Sipas zonjës Spiropali “ne si Kryesi mendojmë se Meta ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion”. Një qëndrim i paralajmëruar një ditë më parë dhe nga vetë kryeministri Edi Rama , sipas të cilit vendimi i Kreut të Shtetit është “një akt që politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul, nuk ekziston dhe moralisht është turp që s'ka më turp”, ndërsa shtoi se “Ilir Meta e ka shkruar fatin e tij si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në këtë zyrë”
Zonja Spiropali shpjegoi se procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës “do nisin menjëherë në sencën parlamentare të së enjtes. Eshtë detyra jonë politike për të mbrojtur Kushtetutën, Rendin kushtetues dhe Republikën”.
Kushtetuta përcakton se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është jashtë funksionit, me vetëm 1 nga 9 anëtarët e saj. “Pavarësisht kësaj, kjo nuk na heq të drejtën për të nisur procedurat”, deklaroi zonja Spiropali.
Ndaje me miqte