Meta: Nëse kjo shumicë konfirmohet pa prekur votën, jap dorëheqjen më 26 prill
ATSH
04 Mars 2021
Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me përfaqësues të shoqërisë civile për zgjedhjet e 25 prillit, ku deklaroi se, “nëse kjo shumicë konfirmohet pa prekur votën, jap dorëheqjen më 26 prill”.
“Ta kenë të qartë të gjithë, Presidenti nuk do të rrijë indiferent në këtë proces zgjedhor. Nëse kjo shumicë konfirmohet pa prekur votën, Presidenti jep dorëheqjen më 26 prill”, tha Meta.
Meta u shpreh se, “besoj se i kemi të gjitha mundësitë si popull dhe si institucione, që të paktën t’i ngjajmë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me shembullin e dhënë për organizimin e proceseve zgjedhore”.
“Duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje informimit të zgjedhësve. Është shumë e rëndësishme t’i ndërgjegjësojmë qytetarët, se në një sistem demokratik, fuqia e tij është vetëm vota e tij”, tha ai.
“Çdo demotivim, përgjumje dhe indiferencë e qytetarëve, nuk i shërben as demokracisë dhe as vetë qytetarit, për të qenë aktiv të ndërtimin e sistemit të llogaridhënies. Çdo qytetar që nuk voton, nuk ka të drejtë të ankohet nesër për qeverinë”, theksoi Meta.
“Një pjesëmarrje masive dhe një proces shembullor zgjedhor do ishin një kontribut i madh për të tejkaluar këtë tranzicion të shumë zgjatur”, shtoi Meta.
Meta nënvizoi se, “nuk pres nga drejtësia të vijnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, sepse i dimë të gjithë problemet që ka sistemi i drejtësisë dhe për vetë mënyrën se si është zbatuar Reforma e Drejtësisë”.
“Nëse do kishte funksionuar Prokuroria dhe SPAK, nuk do kisha marrë iniciativat që kam nisur. Bundestagu ka vite që kërkon hetimin e krimeve zgjedhore, që ende nuk po hetohen plotësisht”, tha Meta.
Ndaje me miqte