Meta: Pa zgjedhje normale, nuk ka integrim në BE
ATSH
30 Korrik 2019
TIRANË, 30 korrik/ATSH/- Presidenti Ilir Meta në një konferencë për mediet, të zhvilluar sot, ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Presidenti tha se pa zgjedhje normale Shqipëria nuk mund të marrë çeljen e negociatave.
“Kam thënë që me këtë situatë krize të gjithanshme që ka vendi, e aq më tepër me paaftësinë për të organizuar zgjedhjeve vendore gjithëpërfshirëse që kanë datën e ligjshme në 13 tetor, kam thënë që nuk ka çelje të negociatave me BE”, – tha Meta.
“Deklarata e përfaqësuesve të BE këtu, apo personaliteteve të KE që e kanë mandatin e kufizuar deri në 5 vjet, të ndiqni koherencën e qëndrimeve të mia në 30 vjet. Unë e konsideroj veten si lider lokal, dhe nuk marr përsipër të zgjidh çështje globale, po qe për çështjet e integrimit mos u lodhni të pyesni asnjë ambasador të BE që t’u thotë të vërtetën, këtë më mirë se unë që merrem 30 vjet në mënyrë të pandërprerë me integrimin, nuk e di asnjë njeri, se mandati i tyre është i kufizuar”, – theksoi Meta.
“Si ish-student i Dhjetorit dhe politikan i votuar në pozicione të ndryshme në këtë vend, e sot si president, ju garantoj se mendimi im është më i përgjegjshëm se i cilitdo, unë nuk jam t’i bëj qoka askujt, as opozitës, as qeverisë, por t’i shërbej interesit kombëtar që është integrimi në BE. Pa zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse më 13 tetor, mos të prisni asnjë mrekulli që do të bjerë nga qielli dhe të gdhiheni me çelje negociatash. Ndaj kam apeluar për dialog politik, real, mes dy palëve për këtë çështje madhore”, – tha ai.
Ndaje me miqte