Mike Pompeo në Athinë: Mbështesim Greqinë ndaj qëndrimit agresiv të Turqisë
TV Tribuna
05 Tetor 2019
Athina dhe Uashingtoni kanë “vulosur” partneritetin e tyre strategjik, me nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Në fakt, një marrëveshje e tillë ekzistonte edhe më parë, por kjo e tanishmja është riaktualizuar dhe përfshin jo vetëm fushën ushtarake, por shtrihet dhe në ekonomi, tregti, energji dhe luftimin e terrorizmit.
Marrëveshja u nënshkrua të shtunën nga ministri i jashtë grek Nikos Dendias dhe sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, që erdhi enkas për këtë firmë në Athinë.
Ngritja në një nivel më të lartë e bashkëpunimit tonë me SHBA përbën një garanci sigurie dhe burim stabiliteti, zhvillimi dhe prosperiteti”, deklaroi ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias.
Dendias shtoi se marrëdhëniet greko-amerikane ndodhen aktualisht “në nivelin më të mirë në histori”.
Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, shprehu mbështetjen e Uashingtonit ndaj reagimeve të Greqisë kundër lëvizjeve që po bën Turqia në zonën ekskluzive ekonomike të Republikës së Qipros.
“SHBA-të do të ofrojnë garanci të qarta dhe të padiskutueshme për të mbështetur Greqinë sa i përket qëndrimit agresiv të Turqisë në Mesdheun Lindor”, theksoi Pompeo.
“Po punojmë intensivisht që të arrijmë disa rezultate, të mos kemi militarizim të çështjeve dhe të kemi një çtensionim dhe rezultatet të pranueshme në mënyrë reciproke”, shtoi sekretari amerikan i Shtetit.
Në takimin me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, Mike Pompeo tha se Uashingtoni e vlerëson Greqinë si një “shtyllë për stabilitetin në rajon” dhe shtoi që në kuadër të marrëveshjes për basklëpunimin ushtara, ka edhe pika që shtrihen me gjerë, edhe në planin ekonomik.
Numri një i diplomacisë amerikane tha se kompani të mëdha nga Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vijnë e të investojnë në Greqi, duke krijuar vende të reja pune.