0030 210 33 18 483

Ministri i jashtëm grek flet për negociatat Athinë "?? Tiranë

Tribuna TV 15 Mars 2019

Ministri i jashtëm grek, Jorgos Katrougalos ka deklaruar se negociatat me Shqipërinë janë zhbllokuar “në një farë mënyre”.

Gjatë një interviste në radion Real FM, shefi i diplomacisë greke është pyetur nëse kanë ngrirë negociatat Athinë - Tiranë, për zgjidhjen paketë të çështjeve dypalëshe.

Katrougalos ka pohuar se negociatat kanë pasur një “vonesë relative”.

Ai e ka shpjeguar këtë vonesë me situatën e trazuar politike në vendin fqinj.

Por edhe me faktin pse siç tha, “duhej të merrnin disa përgjigje nga pala tjetër, për çështje që kanë të bëjnë me minoritetin tonë: dy ligjet që i referohen mbrojtjes së pronave të tyre në lidhje me bregdetin në Himarë, por edhe në lidhje me të drejtën e vetëpërcaktimit, domethënë me mundësinë e deklarimit që janë pjesëtarë të minoritetin”.

“Kemi marrë disa përgjigje nga pala shqiptare”, tha Katrougalos dhe shtoi:

“Në një farë mënyre negociatat janë zhbllokuar, por është e parakohshme të themi nëse do të kenë përfundim pozitiv apo jo”.

Gjithsesi, ministri i jashtëm grek ka nënvizuar që “vullneti i Athinës është që të avancojnë dhe të përmirësohen marrëdhëniet dypalëshe, dhe, përmes zhbllokimit të këtyre çështjeve të hapet edhe rruga europiane e Shqipërisë”.

Shefi i diplomacisë greke ka përsëritur se zgjerimi në 12 milje i detit territorial, është një vendim politik, për të cilin kryeministri Tsipras ka thënë se do të zbatohet me një ligj të posaçëm.

Sipas Katrougalos, shtrirja në 12 milje, “inkuadrohet në përpjekjet për delimitimin e zonës ekskluzive ekonomike me Shqipërinë dhe Italinë”.

Katrougalos tha se koha e realizimit nuk është përcaktuar ende, pasi kjo do të varet nga negociatat për zonat detare. “Mirëpo”, theksoi, “nuk kemi për ta çuar në kalendat greke”, duke nënkuptuar se zgjerimi i detit territorial nuk do të shtyhet pafundësisht.

Ndaje me miqte