Ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, do të ndodhet të martën në Tiranë, në vizitën e tij të parë zyrtare në kryeqytetin fqinj.
Vitin e kaluar, Dendias kishte shkuar në Shqipëri, fill pas tërmetit të 26 nëntorit, për të shprehur solidaritetin e Athinës.
Vizita e tanishme inkuadrohet në përpjekjet për rifillimin e dialogut dypalësh për zgjidhjen problemeve të mbartura, dialog që ka ngrirë prej më shumë se dy vjetësh.
Fillimisht, shefi i diplomacisë greke do të takohet me ministrin në detyrë për Europën dhe punët e jashtme, Gent Cakaj.
Sipas njoftimit të ministrisë së jashtme greke, bisedimet do të fokusohen në çështje me interes dypalësh, europian dhe rajonal, me theks në ecurinë e marrëdhënieve greko-shqiptare, zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe perspektivën europiane të Ballkanit perëndimor.
Muaj më parë, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, duke paralajmëruar vizitën e zotit Dendias në Tiranë, e kishte ndërlidhur me diskutimet për delimitimin e zonave detare ndërmjet të dy vendeve.
Më pas, ministri i jashtëm grek do të pritet nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Nikos Dendias do të takohet edhe me kryetarin e partisë demokratike Lulzim Basha dhe atë të partisë bashkimi për të drejtat e njeriut, Vangjel Dule. Ministri i jashtëm grek do të takohet edhe biznesmenë grekë që kanë aktivitet në Shqipëri, si dhe me kryepeshkopin e kishës ortodokse, Anastas.