0030 210 33 18 483

Ministria e Brendshme përgënjeshtron mediet për plagosjen e truprojeve të Kryeministrit në Librazhd

ATSH 15 Qershor 2019

TIRANË, 15 qershor/ATSH/-Ministria e Brendshme hedh poshtë insinuatat për humbje jete apo plagosje të truprojave të Kryeministrit.

“Ministria e Brendshme nuk angazhohet në përgënjeshtrimin publik të insinuatave apo lajmeve të rreme që publikohen nëpër rrjetet sociale. Por kur media të caktuara, që pretendojnë seriozitet dhe përgjegjshmëri publike, bëhen zëdhënës të tyre, Ministria e Brendshme e quan me dobi publike reagimin”, njofton ministria e Brendshme.

“Ministria e Brendshme hedh poshtë me neveri insinuatën e turpshme të publikuar sot në disa media për kinse humbje jete apo plagosje të truprojave të Kryeministrit gjatë provokimeve nga disa protestues të Partisë Demokratike në Librazhd, më datë 13.06.2019”, vijon njoftimi.

“Nuk ka pasur kurrfarë problemi për jetën dhe shëndetin e truprojave të Kryeministrit gjatë veprimtarisë së zhvilluar në Librazhd, apo në qarqet e tjera të vendit gjatë këtyre ditëve.
Ministria e Brendshme fton median e përgjegjshme dhe opinionin publik që të jenë shumë të kujdesshëm me insinuata të kësaj natyre halucinante, të cilat kanë shpesh herë të njëjtin burim dezinformimi dhe që synojnë vetëm një gjë: krijimin e një klime pasigurie dhe paqartësie në vend”, thekson Ministria e Brendshme në njoftimin e saj.

“Ministria e Brendshme i kujton opinionit publik se nga i njëjti burim, që ka publikuar së pari insinuatën e sotme, vetëm përpara pak ditësh, u përhapën trillime monstruoze që synonin të komprometonin Policinë e Shtetit dhe t’i ngarkonin asaj paturpësisht përgjegjësinë për goditjen e dy protestuesve gjatë protestës së datës 2 qershor 2019, të cilat, siç u provua botërisht, kishin ardhur nga protestues të tjerë”.

“Ministria e Brendshme fton mediet që kanë publikuar këtë insinuatë kaq flagrante dhe në shpërfillje të plotë të parimeve profesionale të gazetarisë që të distancohen nga praktika të tilla, që të përgënjeshtrojnë njoftimin e dhënë dhe të marrin masa që në të ardhmen të mos ndodhin më raste të ngjashme dezinformimi”, përfundon deklarata e Ministrisë së Brendshme. 

Ndaje me miqte