0030 210 33 18 483

Miqësia dhe ekspozimi në mediat shqiptare: Kur intimiteti pengon integritetin gazetaresk

Juli Ndriko 10 Janar 2024

Në ekosistemin e mediave shqiptare, vërehet një situatë shqetësuese. Shpesh hasim raste të individëve që, megjithëse nuk janë gazetarë profesionistë, shfaqen në mediat televizive dhe ndajnë informacione publikisht, bazuar në miqësitë e tyre me punonjësit e këtyre kanaleve televizive.

 

Në kohën kur transparenca dhe saktësia janë thelbi i gazetarisë, rastet e dizinformimit dhe përhapjes së informacioneve të pasakta shqetësojnë. Një rast i fundit është ai i Etmond Gurit, i cili prezantohet si gazetar dhe dikur si Kryetari i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi. Megjithatë, të vërtetat tregojnë se ai punon dhe jeton në Greqi, nuk është gazetar, madje ka shumë vite që nuk ka lidhje as me kryesinë e Komunitetit së Shoqatave Shqiptare në Greqi.

Dizinformimi në media nuk është vetëm mospërgjegjshmëri, por shkelje e thellë e etikës gazetareske. Misioni i gazetarisë është të paraqesë faktet esaktë dhe të verifikuara për të informuar dhe ndihmuar publikun. Kjo sjellje denigron profesionin e gazetarisë dhe shkakton shpërqendrim dhe dyshime në publik. Në një kohë kur informacioni është një pasuri e çmuar, është e papranueshme që disa individë të manipulojnë dhe përhapin informacione të rreme për të fituar pak promovim personal. Ky fenomen, ku informacionet dhe komentet publike jepen nga individë që nuk kanë përvojë gazetareske ose njohuri të tilla, sjell shqetësim për integritetin dhe kredibilitetin e mediave shqiptare. Në një shoqëri demokratike, është e rëndësishme që mediat të mbajnë përgjegjësi për të siguruar integritetin e informacioneve të prezantuara. Në të kundërt, kjo praktikë mund të pengojë zhvillimin e një debati të shëndetshëm dhe të shkaktojë heshtje për profesionistët e vërtetë të gazetarisë.

Është koha që mediat shqiptare të jenë më të kujdesshme në vlerësimin e burimeve të tyre dhe të sigurojnë që vetëm gazetarët e njohur dhe të besueshëm të japin informacione dhe komente publikisht. Vetëkontrolli dhe përgjegjësia në praktikat mediatike janë të rëndësishme për të ruajtur integritetin dhe besueshmërinë e mediave në sytë e publikut.

Ndaje me miqte