Miratohet me 100 vota pro rezoluta kundër vendimit të Metës për 30 qershorin
13 Qershor 2019
TIRANË, 13 qershor/ATSH/- Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë miratuan sot projektrezolutën e Kuvendit për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve nga Presidenti Ilir Meta.
Në seancën plenare deputetët me 100 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime dhe 1 pa votuar, miratuan projektrezolutën, pas 6 orësh debate në Kuvend.
Në këtë projektrezolutë Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.
Gjithashtu në projektrezolutë theksohet se “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje të gjitha organeve publike, që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të mbarëvajtjes dhe organizimit të zgjedhjeve vendore të Qershorit 2019, të konsiderojnë si inekzistent aktin e Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, date 05.11.2018 dhe të vijojnë përmbushjen e detyrave të tyre sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës për të garantuar të drejtën kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor”.
“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”, thuhet në projektrezolutë.
Ndaje me miqte