Mitsotakis: "Duam fitore të pastër në eurozgjedhjet"?
TV TRIBUNA
08 Prill 2019
“Dua një sukses të madh, një fitore të madhe, që do të tregojë se SYRIZA, si qeveri, ka marrë fund”, kështu ka deklaruar kryetari i Demokracisë së re, Kyriakos Mitsotakis, duke përshkruar objektivat e partisë së tij për zgjedhjet për parlamentin Europian që do të mbahen më 26 maj.
Përveç fitores në eurozgjedhjet, Mitsotakis ka shtuar se synon dhe “një fitore të gjerë” në zgjedhjet kombëtare, çka sipas tij do të jetë “votëbesim për Demokracinë e re”.
Mitsotakis shtoi që edhe sikur partia e tij t’i fitojë zgjedhjet me maxhorancën e nevojshme, “dua të realizoj konvergime politike më të gjera”.
Mitsotakis ka sfiduar kryeministrin që t’i shpallë sa më shpejt zgjedhjet parlamentare.
“Po deshi, le t’i shpallë sot. Sepse çdo ditë që kalon, çdo javë që kalon, gjërat bëhen dhe më të vështira”, nënvizoi Mitsotakis gjatë një interviste për televizionin Open.
“Për mua, sondazhi është kontakti i përditshëm me qytetarët. Nuk më thonë vetëm që “ndëshkojeni SYRIZA-n” apo “bëni opozitë më të fortë”. Por edhe “nuk durojmë dot më”, sepse shoqëria ndihet e shtypur dhe klasa e mesme është shkatërruar nga taksat”, vuri në dukje shefi i opozitës.
Siç vë në dukje gazeta “Kathimerini”, Mitsotakis vazhdon të besojë që “Tsipras nuk do të mundë të arrijë deri në tetor dhe do të detyrohet të shpallë zgjedhje edhe zgjedhje kombëtare në muajin maj”.
Ndaje me miqte