Mitsotakis e Rama takohen në Nju Jork
Robert Goro
23 Shtator 2019
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama janë takuar të hënën në mbrëmje në Nju Jork, në kuadër të punimeve të asamblesë së përgjithshme të OKB-së.
Siç transmeton agjencia zyrtare e lajmeve ANA-MPA, në fillim të takimit Mitsotakis u interesua të mësonte se si ishte gjendja pas tërmetit të së shtunës.
Rama u përgjigj se situata është e vështirë, po për fat nuk pati viktima dhe shtoi se ndoshta mund të nevojitet ndihmë nga Greqia.
Mitsotakis u përgjigj që “natyrisht, Greqia do të ndihmojë”.
Përtej pjesës protokollare, dy kryeministrat mendohet se janë fokusuar në bisedën e tyre në marrëdhëniet dypalëshe që aktualisht janë të ngrira.
Athina ka paralajmëruar që mund të bllokojë hapjen e negociatave Shqipëri-BE nëse Tirana nuk ndryshon qëndrim ndaj minoritetit.
Kështu që priten me shumë interes detajet deri më tani të munguara nga takimi i dy kryeministrave.
Nisur nga fakti se Greqia nuk e ka njohur ende Kosovën, me interes pritet edhe takimi që Mitsotakis do të zhvillojë po në Nju Jork, me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Ndaje me miqte