Mitsotakis hyn pa dokumente identiteti në Turqi; mbahet në pikën kufitare
Tribuna TV
14 Maj 2018
Lideri i opozitës greke, Kyriakos Mitsotakis, ka mbetur i bllokuar për disa orë në një pikë kalimi kufitar me Turqinë. Mitsotakis, kaloi kufirin midis të dy vendeve dhe u paraqit në pikën kufitare Ipsala. Por aty konstatoi i habitur se nuk kishte me vete asnjë dokument udhëtimi; as pasaportën, as letërnjoftimin.
Nga ana e tyre, autoritetet turke, nuk mund t’i lejonin hyrjen në territorin e vendit, por as kthimin në territorin grek, pasi duhej zbatuar procedura e zakonshme për gjithë ata që nuk kanë dokumente te rregullta.
Burime nga Demokracia e re, të pyetura nga mediat, kanë thënë se nuk ka ndodhur asgjë.
Mirëpo vetë Mitsotakis ka publikuar në Instagram një fotografi me bashkëshorten ku me një ndjenjë humori shkruan:
“Dogana Kipoi (Ipsala). Kur konstaton se ke harruar pasaportën dhe mendon se e ke gjetur fajtorin”.
Mitsotakis kishte planifikuar që të merrte pjesë në një veprimtari fetare në ishullin Gokçeada (Imvro për grekët), ku jetojnë rreth 300 qytetarë turq me origjinë greke.
Shefi i opozitës greke shtoi në Instagram se ai shpresonte që të mbërrinte në ishull në mbrëmje vonë.
Ndaje me miqte