0030 210 33 18 483

Mitsotakis: Mesazh me rastin e përvjetorit të vendosjes së demokracisë në Greqi

TV Tribuna 24 Korrik 2020

Më 24 korrik 1974, junta ushtarake që sundonte në Greqi nga 21 prilli 1967 u detyrua të lëshonte pushtetin. Po atë mbrëmje, në aeroportin e Athinës mbërriti nga Parisi ku ndodhej në ekzil politikani i Konstantinos Karamanlis që u vu në krye të qeverisë së shpëtimit kombëtar.

24 korriku kremtohet si dita e vendosjes së Demokracisë në Greqi. Me këtë rast, kryeministri Kyriakos Mitsotakis i ka drejtuar popullit një mesazh televiziv.

 

Bashkëqytetarë,

Greqia feston sot 46 vjet të një rruge të pandërprerë demokratike, periudhën më të madhe të normalitetit në historinë e saj të re.

Më e pjekur se kurrë, mëson nga përvojat e saj. Merr forcë nga vështirësitë.

Dhe çdo ditë po konsolidon përzgjedhjen historike që bëri para një viti: Në vazhdojë me guxim në rrugën e të vërtetës, të unitetit kombëtar dhe të kohezionit social.

Nëse 24 korriku 1974 shënon kalimin e vendit nga dimri i diktaturës në pranverën e parlamentarizmit, 24 korriku 2020 thekson vendimin që të ndërlidhet në mënyrë krijuese me vlerat e atij ndryshimi.

Por njëkohësisht edhe për të vulosur epokën e të saj.

Duke thelluar arritjet demokratike, pa populizma.

Duke i shërbyer shtetit të së drejtës pa përçarje.

Dhe duke kërkuar modernizimin, pa neglizhenca në kujdesin për qytetarin.

Përvjetori i sivjetshëm e gjen planetin të rrethuar nga pandemia.

Dhe ekonominë botërore me tronditje.

Me trazovaçë si Turqia që kërcënojnë paqen ne Mesdheun Lindor, duke vënë në diskutim të drejtat sovrane të Greqisë dhe të Qipros.

Por edhe duke fyer qytetërimin e shekullit të 21-të, me akte si shndërrimi i Afia Sofisë në xhami.

Ato që po ndodhin sot në Stamboll, nuk janë manifestim force, por dëshmi dobësie.

Natyrisht, nuk e kanë fuqinë që të eklipsojnë rrezatimin e një monumenti të trashëgimisë botërore. Mirëpo, tronditin vlera globale.

Prandaj dhe kërkohet një dënim global.

Posaçërisht për ne grekët kristianë ortodoksë, Agia Sofia është sot më shumë se kurrë në shpirtrat tanë. Aty rreh zemra jonë. Duke e shndërruar trishtimin në forcë, në gjakftohtësi dhe në unitet.

Sepse Agia Sofia ekziston pikërisht që të na bashkojë të gjithë, duke na ftuar që të shikojmë vetëm lart. Dhe kështu do të mbetet përgjithmonë.

Bashkëqytetarë,

Vitin e fundit ne grekët treguam se mundim t’i mbrojmë kufijtë tanë që janë dhe kufij europianë. Se me përgjegjësi dhe disiplinë dimë të kapërcejmë sfida sanitare, si vala e parë e Koronavirusit. Duke pasur në të njëjtën kohë forcën që të blindojmë ekonominë dhe shoqërinë, madje dhe në rrethana të vështira. Gjithë këto përbëjnë një kapital fuqie kombëtare.

Përndryshe, kështu arritëm që vendi të forcohet tashmë me më shumë se 70 miliardë nga Fondi Europian i Rimëkëmbjes dhe nga buxheti europian.

Marrim pjesën që na takon në një vend që ribëhet protagonist në Europë.

Një vend me aleatë të fuqishëm. Që synon të bëhet edhe shembull i zhvillimit për të gjithë.

Festojmë, pra, sot Ditën e Demokracisë më të fortë e më të sigurt.

Të armatosur me përvojat që e shndërrojnë përvjetorin e sotëm në një bast kombëtar për të ardhmen.

Për një atdhe të pavarur, krenar dhe të sigurt. Dhe një shoqëri me prosperitet.

Dyzetë e gjashtë vite më vonë, e mbajmë të gjallë mesazhin e Metapolitefsit.

Dhe e transformojmë në një përpjekje që, ditë pas dite, i bën realitet shpresat e dekadave.

Helenizmi përparon i bashkuar, brenda dhe jashtë kufijve. Demokracia le të lulëzojë gjithkund në vendin tonë.

Dhe ekonomia jonë të japë fryte gjithnjë e më shumë, në dobi të çdo qytetari.

Këtë Greqi meritojnë grekët. E meritojmë dhe do ta kemi. Për shumë vjet demokracia jonë!

Ndaje me miqte