Mitsotakis: "Mund të shkojmë sërish në zgjedhje më 15 gusht"? ... dhe një mesazh për Shqipërinë
25 Qershor 2019
Kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar që nëse nga zgjedhjet e 7 korrikut nuk rezulton qeveri maxhoritare, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të reja më 15 gusht.
“Demokracia e Re kërkon mandat të fuqishëm mbrëmjen e 7 korrikut, që të shmangim peripecitë. Nëse nuk do të mund të krijohet – për çfarëdo arsye- qeveri pas 7 korrikut, atëherë vendi do të shkojë pa diskutim në zgjedhje më 15 gusht. E theksoj që ta kuptojnë mirë qytetarët se çfarë do të thotë të mos ketë një mandat të fuqishëm mbrëmjen e 7 korrikut”, tha Mitsotakis të martën, gjatë një interviste në radion Proto Thema.
Mitsotakis i është referuar në intervistë edhe marrëdhënieve me Shqipërinë.
“Ka një problem të madh shtesë me trajtimin e minoritetit grek. Nëse vazhdon kjo sjellje, do të shqyrtojmë dhe mënyra të tjera për të përballuar këtë sjellje provokative të Shqipërisë”, tha kryetari i Demokracisë së re.
Për marrëveshjen e Prespës, lideri i opozitës tha se është një marrëveshje e ratifikuar nga parlamenti dhe nuk mund të ndryshojë nga njëra ditë në tjetrën, mirëpo, “mund ta kufizojmë dëmin... Do të shfrytëzojmë procesin e integrimit europian të vendit fqinj”.
Duke folur për marrëdhëniet me Turqinë, Mitsotakis tha se sjellja e Ankarasë ndaj zonës ekskluzive ekonomike të Qipros cenon të drejtën ndërkombëtare. “Nëse kjo sjellje vazhdon janë të pashmangshme sanksionet nga BE kundër Turqisë”, tha dhe shtoi që “pavarësisht nga kjo, jam i vendosur që të hap kanalet e komunikimit me fqinjët”.
Ndaje me miqte