Mitsotakis, në Kinë për të nxitur investimet
TV TRIBUNA
04 Nentor 2019
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kinë, ku u prit nga presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping.
“Vizita juaj, katër muaj pas ardhjes në pushtet, i jep një shtysë të re bashkëpunimit strategjik ndërmjet të dy vendeve”, nënvizoi presidenti Jinping
Më herët, Mitsotakis i bëri thirrje biznesit kinez që të investojë në Greqi.
“Teksa Greqia ndodhet në fazën e rimëkëmbjes ekonomike, nuk ka moment më të mirë për të shkruajtur një kapitull të ri në marrëdhëniet kinezo - greke”, ka theksuar Mitsotakis, duke përshëndetur forumin e biznesmenëve nga të dy vendet, në Shangai.
Pasi vuri në dukje se është hera e parë që viziton Shangain si kryeministër, Mitsotakis nënvizoi:
“Qeveria ime u zgjodh në muajin korrik me shumicë absolute dhe me një mandat të pastër që ta rikthejë vendin në rrugën e zhvillimit ekonomik. Jemi një qeveri që është krejtësisht e përkushtuar në zbatimin e ndryshimeve të domosdoshme që do të çlirojnë mundësitë reale të vendit tonë, ndërsa ju nga ana juaj po grumbulloni gjithë ato të dhëna që mund ta bëjnë Greqinë një histori të vërtetë suksesi”.
Mitsotakis u ndal në kontributin e Kinës gjatë përpjekjeve të Greqisë në vitet e krizës ekonomike dhe financiare dhe shprehu vlerësimin se lidhjet ekonomike të të dy vendeve mund të zhvillohen më tej.
“Kina investoi në Greqi, në kohën që të tjerët shkëlqenin me mungesën e tyre. Investimi i Cosco-s në portin e Pireut është shembulli i kompanisë që guxoi të investojë në Greqi, atëherë kur të tjetër e konsideronin të pakonceptueshme”.
Duke iu referua marinës tregtare, Mitsotakis tha se biznesmenët grekë ndërtuan më shumë se 1000 anije të tyret në kantiere kineze, një investim që i kalon të 50 miliardë eurot.
“Vendi im disponon një mjedis natyror dhe kulturor unikal, një pozitë gjeopolitike të privilegjuar në udhëkryqin e tre kontinenteve dhe ka njerëz me talent dhe kualifikim të lartë”, nënvizoi kryeministri grek, që shtoi se qeveria e tij do të bëjë ç’është e mundur për të mbështetur dhe lehtësuar investimet kineze në Greqi.
Sa i përket turizmit, Mitsotakis tha se objektivi i Greqisë është që të mbërrijnë 500.000 turistë deri në 2021, duke vënë në dukje rëndësinë që i kushtohet lidhjes direkte ajrore të Athinës me Pekinin dhe prej andej me Shangain, një linjë ajrore që siç u komunikua do të inaugurohet në verën e vitit 2020.
Ndaje me miqte