0030 210 33 18 483

Mitsotakis: Nga 4 maji hiqen lejet dhe sms-të për lëvizjen e qytetarëve

TV Tribuna 28 Prill 2020

Kryeministri grek ka prezantuar me anë të një mesazhi televiziv planin për rikthimin në normalitet.


Bashkëqytetarë, prej disa muajsh atdheu ynë, por dhe e gjithë bota, po zhvillon një betejë me një armik të padukshëm dhe dinak.
Morëm masa të papara për të kufizuar përhapjen e tij.
Pranuam si shoqëri nevojën që të paralizohet veprimtaria ekonomike, që të shpëtojmë jetë njerëzore.
Qëndruam larg njerëzve që duam me qëllim që t'i mbrojmë.
Nuk shkuam në kishat tona dhe qëndruam në shtëpi, duke zbatuar këshillat e specialistëve.
Treguam - treguat- një përgjegjshmëri dhe solidaritet të paparë.
Dhe kështu, qëndrimi individual u bë një sukses kolektiv.
Dhe lidhjet midis shtetit dhe qytetarëve u kuadruan nga reforma që përndryshe ngjanin të largëta apo të pamundura.
Të gjitha këto nuk ishin produkt i fatit, por i një pune të madhe.
Sukseset e mëdha u dedikohen shumë heronjve të vegjël. Ju falënderoj që e bëtë atdheun tonë një shembull për të gjithë botën. 
Sot mund të themi me siguri se masat që morëm kishin rezultat.
Të dhënat nuk pranojnë diskutim.
Prej disa ditësh rastet e reja janë kufizuar në minimum.
Por më i rëndësishëm është pakësimi i numrit të të sëmurëve me koronavirus në spitale.
Si dhe reduktimi i numrit të bashëqytetarëve tanë që janë të intubuar në sallat e reanimacionit.
Dua të shpreh solidaritetin tim me familjet që humbën njerëzit e tyre të dashur.
Dhimbja e tyre nuk pakësohet nga fakti se në Greqi kishim shumë më pak viktima nga thuajse gjithë vendet europiane.
Teksa e kufizuam valën e parë të virusit, jemi tashmë të gatshëm të kalojmë në fazën e dytë të planit tonë:
Në përshkallëzimin gradual të masave, pasi sot jemi më të gatshëm nga sa para tre muajsh. 
Mund të bëjmë më shumë teste, rrjedhimisht të perceptojmë me shpejt vatra të mundshme të virusit.
Mbrojtja civile po forcohet edhe më shumë, që të mundet të hetojë kontaktet më shpejt dhe me më shumë eficencë. 
Dhe spitalet tona disponojnë më shumë personel mjekë dhe infermierë. Pajisje më të shumta dhe më të mira. Përvojë më të madhe. Dhe organizim më të mirë.
Ndërkaq, kemi dhe dy aleatë të tjerë: Motin e mirë që do të na lejojë të kalojmë më shumë kohë jashtë.
Dhe më e rëndësishmja, njerëz të sensibilizuar dhe të informuar që tashmë e dinë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjnë: 
Respektojmë me skrupulozitet masat e higjienës personale. Nuk shtrëngojmë duart. Mbajmë distancë. 
Kujdesemi veçanërisht për bashkëqytetarët tanë me probleme shëndetësore. 
Dhe qëndrojmë brenda po të kemi kollë apo temperaturë, si dhe informojmë mjekun tonë.
Zbatojmë këshillat e specialistëve për maskën mbrojtëse. Përdorimi i maskës do të mbulojë disa nga karakteristikat tona. 
Mirëpo, do të shënojë fytyrën serioze të përgjegjësisë tonë.
Gjithë këto duhet të na bëhen natyrë e dytë, sepse nuk ka kthim në "realitetin para koronavirusit". Faktikisht, po jetojmë ndryshe.
Po përgatitemi për stadin e dytë të planit tonë. Mirëpo kujdes: Nuk do të jetë epilogu i peripecisë, por një vazhdim. 
Do ta përsëris: Dalja nga karantina do të bëhet hap pas hapi. 
Askush nuk mund të përjashtojë një riaktivizim të mundshëm të kërcënimit. 
Objektivi ynë është ta perceptojmë shpejt, kështu që çfarëdo kufizimesh të reja të kenë karakter lokal dhe mos të përfshijnë gjithë territorin.
Plani ynë për dymujorin e ardhshëm është jashtëzakonisht analitik dhe i përpunuar.
Mirëpo është ajo që kumton fjala: Plan.
Rrjedhimisht do t'u nënshtrohet rishikimeve, në varësi të zhvillimeve dhe udhëzimeve të specialistëve. 
Dhe vetëm disiplina e çdo qytetari do të jetë ajo që do të vendosë për suksesin e këtij plani.
Gjithsesi, disa parime mbeten të panegociueshme.
Prioriteti im ishte dhe mbetet jeta dhe shëndeti i grekëve.
Përzgjedhja ime është që çdo vendim të ketë vulën e opinionit shkencor.
Dhe në informimin e qytetarit do të ketë transparencë absolute, sinqeritet dhe llogaridhënie.
Ju besova dhe ju më besuat jo vetëm mua, por edhe shtetin grek.
Që nuk është tjetër përveç staturës tonë kolektive.
Dhe, teksa kalojmë në fazën e dytë, këto lidhje besimi duhet të ruhen të pathyeshëm.
Maji nuk është mars. Atëherë duhej të mbroheshim për shëndetin tonë dhe të shpëtojmë jetë duke qëndruar në shtëpi. 
Ndërsa tani po ftohemi të rikthehemi metodikisht, gradualisht në disa prej veprimtarive tona të njohura.
Atëherë parrulla jonë e re është: "Qëndrojmë të sigurt". 
Dalim nga shtëpia, por gjithmonë qëndrojmë të përgjegjshëm.
Të dashur bashkëqytetarë, pas rekomandimeve të komitetit shkencor mundem sot të komunikoj akset e një "ure sigurie" drejt realitetit të ri.
Nga e hëna e ardhshme, 4 maj, hiqen kufizimet në lëvizjen e qytetarëve. me fjalë të tjera hiqen leja me shkrim dhe sms-të.
Mirëpo do të vazhdojnë të mbetet në fuqi, të paktën për dy javë, kufizimet për lëvizjen jashtë rrethit ku banojmë.
Fizkultura individuale do të lejohet në ambientet e hapura dhe në det.
Mirëpo plazhet e organizuar do të vazhdojnë të qëndrojnë mbyllur.
Të njëjtën ditë do të funksionojnë dhe disa lloje njësish tregtare dhe shërbime.
Po përmend si shembull: Librari, artikuj elektronikë, KTEO dhe artikuj sportivë.
Si edhe floktoret, por gjithmonë me takime paraprake.
Pjesa tjetër e tregtisë me pakicë do të rifunksionojë të hënën më 11 maj, me përjashtim të qendrave tregtare.
Këto do të hapen në 1 qershor.
Sigurisht, në të gjitha njësitë do të jenë në fuqi masat që kufiozojnë densitetin e vizitorëve.
Dhe do të ketë masa të rrepta për mbrojtjen e punonjësve.
Në arsim, mësimet e klasës së tretë të liceut do të rifillojnë në 11 maj.
Një javë më vonë do të pasojnë dhe klasat e tjera të liceut por edhe të gjimnazit.
Mirëpo shkollat do të funksionojnë me rregulla të tjera që do të kufizojnë -aq sa është e mundur- grumbullimet e mëdha.
Mësimi në distancë do të vazhdojë për fëmijë të cilët për arsye të posaçme nuk mund të futen në klasë.
Shkollat fillore dhe kopshtet vazhdojnë të qëndrojnë mbyllur.
Ka gjasë, e përsëris, ka gjasë, të hapen në 1 qershor dhe vetëm po të jemi absolutisht të sigurt se kursi i epidemisë po shkon në rënie.
Në 1 qershor rifillon edhe veprimtaria e sektorit të ushqimit, gjithmonë me kushte që deri atëherë do të jenë dakorduar.
Të njëjtën ditë do të hapen hotelet me funksionim 12 mujor.
Dhe atëherë do të aktivizohet edhe vala e dytë e funksionimit të sektorit të drejtësisë.
Brenda qershorit dhe në varësi të zhvillimeve do të çlirohet gradualisht edhe pjesa tjetër e veprimtarisë ekonomike.
Megjithatë, gjykohet e pamundur që të lejohen brenda verës grumbullime të mëdha si festivale apo evente sportive me spektatorë.
Siç bëhet e qartë, programi i fazës së ardhshme është krejtësisht i studiuar.
Do të përshkallëzohet javë pas jave, por do të kqyret çdo 24 orë nga një organ vëzhgimi i qeverisë, ministrisë së shëndetësisë dhe mbrojtjes civile.
...
Vërtet në 4 maj të gjithë do të takohemi me një realitet të ri.
Dhe, po ta menaxhojmë me pjekuri atëherë, gradualisht, do të përmirësojmë për ta bërë gjithmonë e më të mirë.
Derisa shkenca të gjejë vaksinën e përshtatshme dhe një terapi rezultative, virusi do të jetojë ndërmjet nesh.
Disa njerëz do të sëmuren. Është në dorën tonë që këta të jenë mundësisht sa më pak dhe t'u oftojmë kujdesin që nevojiten.
Kështu, cilido që do të mbyllë pas vetes portën e shtëpisë, do të hapë portën e përgjegjësisë.
Nga durimi do të kalojë në këmbëngulje dhe nga rezistenca në kujdes.
Sepse vetëm kështu do të pakësohet rreziku.

Bashkëqytetarë, Sigurisht në ditët që vijnë fshihen vështirësi në sektorin e shëndetësisë, por edhe të ekonomisë, "ngrirja" e zgjatur e së cilës ka impakt shoqëror.
Sepse ne të njëtjnë kohë "ngrin" edhe padrejtësisë, duke goditur më së pari më të dobtit.
Rrjedhimisht, ristartimi gradual është obligim i çdo qeverie të përgjegjshme.
Askush nuk e mohon që pas koronavirusit, kriza do të jetë e thellë dhe botërore.
Dhe, teksa pandemia i goditi të gjithë, po të gjithëp duhet të ngrenë edhe barrën e pasojave.
Por në mënyrë të drejtë dhe me aleatë të vërtetën dhe realizmin.
Mirëpo, për të gjithë këto do të flas në mënyrë analitike, në parlament së shpejti.
Shteti dhe qytetarët duhet të vazhdojmë luftën me armikun e padukshëm që do të përgjojë të godasë me pakujdesinë më të vogël.
Prandaj dhe kompetentë nuk do ta ndërpresin informimin e përditshëm.
Dhe shteti do të jetë në vigjilencë të përhershme.
Brenda sprovës së fundit u lind një optimizëm i ri.
Një vetëbesim kombëtar i ripërtërirë.
Jam i sigurt se edhe shoqëria do të përgjigjet me përgjegjësi dhe seriozitet në sfidën e re që hapet para nesh:
Në kthimin normal, të sigurt dhe gradual në ritme më të njohura të jetës së përditshme.
Siç thamë: kthehemi, por bëjmë kujdes.
Mbi të gjitha qëndrojmë të sigurt.
Është në dorën tonë t'ia arrijmë.
 

Ndaje me miqte