Mitsotakis prezanton prioritetet e qeverisë së tij
TV TRIBUNA
10 Korrik 2019
Qeveria greke ka zhvilluar mbledhjen e saj të parë. “Na pret një punë shumë e madhe, por kam besim absolut në kapacitetet tona për të ndryshuar Greqinë”, theksoi Kyriakos Mitsotakis në fjalimin e tij të parë si kryeministër.
“Kërkuam mandat të fuqishëm dhe qytetarët na e dhanë me bujari. Tani erdhi momenti të bashkojmë grekët në një vizion prosperiteti. Puna ka filluar”, shtoi kryeu i qeverisë së re greke.
Mitsotakis paraqiti 12 prioritetet e kabinetit të tij, ku i pari është arritja e ritmeve të larta të zhvillimit ekonomik, përmes shtimit të investimeve dhe krijimit të vendeve cilësore të punës.
Siguria për qytetarët, kohezioni social dhe solidariteti për shtresat në nevojë, si dhe një sistem arsimor bashkëkohor, janë sipas radhës prioritetet kryesore.
Mitsotakis tha se një nga dy projektligjet e para që do të paraqiten, është ai për uljen e tatimeve për qytetarët dhe biznesin.
Mitsotakis u ka dhënë gjithë ministrave nga një dosje blu. Sipas një shënimi që ai publikoi në rrjetin social facebook, dosja përmban objektivat për çdo ministri deri në muajin dhjetor. Nga sot ndryshon tërësisht modeli i qeverisjes, shkroi Mitsotakis.