Mitsotakis: "Qeveria, plan zhvillimi, pa rritje ekonomike"?
Tribuna TV
23 Maj 2018
Kreu i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, ka kundërshtuar deklaratat e kryeministrit Tsipras për një dalje të pastër të Greqisë nga programi i shpëtimit.
Sipas tij, qeveria nuk siguroi premisat e domosdoshme për një dalje të pastër, prezantoi një plan zhvillimi pa rritje ekonomike dhe përfundoi duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve me qëllim që të vendosë populli.
Mitsotakis iu referua të dhënave zyrtare që sipas tij tregojnë se rritja ekonomike është revizionuar me kurbë zbritëse për 2018-n, ndërsa gjatë gjithë qeverisjes së SYRIZA-s rritja e përgjithshme ekonomike ishte në nivele shumë më të ulëta nga sa Qipro, Irlanda dhe Portugalia. “Rezultati i politikës tuaj është që katër në dhjetë qytetarë grekë e konsiderojnë evazionin fiskal si një praktikë të ndershme. Në të njëjtën kohë po shkatërroni klasën e mesme. 42% e taksës mbi të ardhurat e paguajnë vetëm ata që deklarojnë të ardhura mbi 40.000 euro që përfaqësojnë vetëm 3% të taksapaguesve”, tha Mitsotakis.
“I gjithë vendi kërkon një mjedis të ri me ulje taksash, me investime, ne vende të reja pune, kërkon një tjetër atmosferë dhe jo atë të gënjeshtrës dhe përçarjes”, nënvizoi kreu i partisë më të madhe opozitare.
Mitsotakis e mbylli fjalimin e tij duke përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme. “Grekët do të zgjedhin cili do t’i udhëheqë me plan dhe me siguri në ditën e nesërme. Grekët duan shpresë. Atëherë zgjedhje!”, deklaroi kryetari i Demokracisë së Re.
Ndaje me miqte