0030 210 33 18 483

Mitsotakis rikthen ministrinë e Emigracionit. Mesazhi ironik i Aleksis Tsipras

TV TRIBUNA 15 Janar 2020

Vetëm 6 muaj pas ardhjes në pushtet, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka korrigjuar vendimin e tij për të suprimuar ministrinë e Emigracionit.

Të martën, zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas, njoftoi se kjo ministri krijohet sërish dhe emri i saj tashmë do të jetë Ministria e Emigracionit dhe Azilit.

Në postin e ministrit u emërua Notis Mitarakis, që deri tani ishte zëvendësministër për sigurimet shoqërore.

Vendimi i kryeministrit argumentohet me nevojën që të përshpejtohet zbatimi i projektit të qeverisë në problemin e refugjatëve, që bazohet në këto katër akse:

Ruajtja e kufijve

Përshpejtimi i procedurave të dhënies së azilit

Shtim i kthimeve të emigrantëve të paligjshëm

Qendra mbajtjeje të izoluara.

Edhe pse puna e ministrisë së re do të fokusohet tek çështja e refugjatëve, pritet që të ketë ndikim pozitiv edhe në problematikat e shtetasve nga vendet e treta që jetojnë e punojnë prej dekadash në Greqi, e posaçërisht për emigrantët shqiptarë që përbëjnë dhe shumicën.

Me mbylljen e ministrisë së emigracionit, në korrik të vitit të kaluar, këto problematike mbetën jetime, duke sjellë si pasojë rikthimin e vonesave dhe sorollatjeve të tjera për emigrantët.

Shpresojmë që ministria e re ta ketë parasysh këtë situatë dhe të përqendrojë një pjesë të vëmendjes në këtë drejtim.

 

Komenti ironik i Aleksis Tsipras

Ish kryeministri dhe kryetar i SYRIZA-s, Aleksis Tsipras, ka komentuar me ironi lajmin për “rikthimin” e ministrisë së emigracionit.

“Përgëzimet e mia për zotin Mitsotakis që iu deshën vetëm 6 muaj e 7 ditë për të kuptuar katrahurën që krijoi. Çfarë gafe kolosale ishte vendimi i tij për të suprimuar ministrinë e politikës së emigracionit në vendin me flukset më të mëdha të refugjatëve dhe emigrantëve në të gjithë Europën”, komentoi Tsipras në rrjetin social Twitter.

Ndaje me miqte