0030 210 33 18 483

Mitsotakis: Sanksione, nëse Turqia nuk u jep fund provokimeve

TV Tribuna 10 Shtator 2020

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar që Turqia ka dy alternativa: ose të bashkëpunojë dhe të gjejë terren të përbashkët, ose mund të vazhdojë të sillet si agresore duke luajtur lojëra impresionesh në skajet e Europës dhe të paguajë një çmim të rëndësishëm ekonomik për sjelljen e saj.
Në një shkrim ku analizon qëndrimet greke para auditorit ndërkombëtar dhe publikohet njëkohësisht në gazetat The Times, Frankfurter Allgemenia Zeitung dhe Le Monde, Mitsotakis shton se Turqia “mund të përzgjedhë nëse Greqia do të përbëjë urë apo pengesë për marrëdhënien e partneritetit dhe progresin”.
“Nëse Turqia përzgjidhte urën, besoj se presidenti Erdogan do të vazhdonte të kishte mundësinë që të arrijë një marrëveshje ambicioze dhe afatgjatë me BE-në, e cila do të ishte në dobi të të gjithëve. Mosmarrëveshjet nuk zgjidhen me dhunë, artifice apo manipulime, por zgjidhen në mënyrë paqësore dhe përmes respektit dhe mirëbesimit reciprok. Nuk nevojitet të jetë kështu situata. Zgjidhja është e thjeshtë. Ulemi, diskutojmë mbi mosmarrëveshjet tona. dhe përpiqemi të konkludojmë në marrëveshje. Po të mos ia arrijmë, atëherë do të lemë gjykatën ndërkombëtare të vendosë. Përndryshe, çfarë frike mund të ketë Ankaraja nga e drejta ndërkombëtare?”, nënvizon kryeministri grek.
Paralelisht, Mitsotakis i referohet edhe takimit të Berlinit dhe zmbrapsjes së Turqisë nga sa u ra dakord aty. “Gjatë gjithë kësaj kohe kam qëndruar i hapur ndaj dialogut. Kur Berlini u ofrua të ndërmjetësojë, u ulëm me mirëbesim që të përpiqemi të gjejmë terren të përbashkët. Arritëm madje të konkkudojmë në një “marrëveshje me shkrim”. Rezultati ishte që Turqia përfundimisht të tërhiqet, duke bërë publike bisedime jozyrtare, por sekrete. Shpresat që vazhdoj të ushqej për Turqinë nuk ma fshehin realitetin. Nevojitemi dialog, por jo në një regjim shantazhesh”.
Duke iu referuar takimit të parë që kishte me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe në rrjedhën që kanë marrë gjërat gjatë këtij një viti, Mitsotakis vë në dukje: “Kur u takuam vjeshtën re kaluar, i thashë presidentit Erdogan se jemi të destinuar të jemi fqinjë për shkak të pozitës tonë gjeografike dhe si fqinjë duhet të bashkekzistojmë paqësisht njeri pranë tjetrit. U përpoqa shumë që të zgjas dorën e miqësisë dhe të bashkëpunimit.  Fola për dialog të hapur, për dëshirën për progres dhe për vullnetin tim të veproj për ndërtimin e urës së Turqisë me Europën. Për fat të keq, gjërat morën rrjedhë tjetër. Pas atij takimi të parë Turqia paraqitet më pak si partner dhe më shumë si provokatore”.
“Retorika e Turqisë i përket një epoke të kaluar. Flet për armiq, për dëshmorë, për luftë dhe dëshirën që të paguajë çfarëdo çmimi. Kjo është gjuha dhe sjellja e një vendi kandidat për anëtarësim në BE, që kërcënon jo vetëm dy shtet anëtare të Bashkimit Europian, por edhe vetë BE-në, fakt që i shqetëson seriozisht vendet anëtare”, nënvizon kryeministri grek.
 

Ndaje me miqte