0030 210 33 18 483

Mitsotakis shpall masat e reja për COVID-19

TV TRIBUNA 31 Tetor 2020

Me një mesazh drejtuar qytetarëve, kryeministri grek ka komunikuar masat e reja që përfshijnë për zonat e "kuqe dhe portokalli" mbylljen e restoranteve, kafeve, etj., si dhe ndalimin e qarkullimit nga ora 24,00 deri 05,00.

Bashkëqytetarë,

Doja të komunikoje me ju dje. Mirëpo kishim tërmetin në Egjeun Lindor dhe interesimi im u drejtua menjëherë në Samos.

Ishulli rezistoi. Mirëpo për fat të keq, humbëm dy të rinj.

I shpeh ngushëllimet e mia familjeve të tyre dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit.

Mendimi im, sikurse dhe i të gjithëve, ishte tek ata, aty. Kujdesi i shtetit është aty dhe pas pak do të jem edhe unë aty.

Turqia gjithashtu numëron shumë viktima dhe dëme kolosale. Kam komunikuar me presidentin Erdogan. Duke theksuar që përtej vështirësive në marrëdhëniet tona, në këto momente është prioritar uniteti i popujve tanë.

Sepse për ne, mbrojtja e jetës njerëzore kapërcen kufij dhe mosmarrëveshje. E falënderova për përgjigjen pozitive ndaj telefonatës time.

Gjithsesi, në të njëjtën kohë, kërcënimi i madh që po rrethon vendin tonë dhe planetin mbetet koronavirusi.

Para një muaji kisha shprehur shpresën se do të mundim të bashkekzistojmë me të, me masa ruajtëse që nuk do të trazonin thelbësisht jetën ekonomike dhe sociale.

Për fat të keq, gjërat nuk u zhvilluan kështu.

Mesazhi im i sotëm është ai që qysh nga fillimi nuk do të doja të bëja.

Mirëpo nuk lejohet të mbyll sytë para realitetit të ashpër.

Është e domosdoshme që të vendos jetën dhe sigurinë e qytetarëve mbi çdo alternativë tjetër.

Ky është obligimi im dhe atij i shërbej.

Pas një periudhe të gjatë stabiliteti, rastet po shtohen edhe në vendin tonë.

Dhe shkencëtarët paralajmërojnë se së shpejti sulmi i ri i pandemisë do të trondisë rezistencën e sistemit kombëtar të shëndetësisë.

Duke vënë në provë jo vetëm pacientët, por edhe mjekët dhe infermierët tanë.

Është pra, koha e vendimeve politike.

Dhe për këto do t’ju falas, duke dashur sërish që t’i dalim përpara të keqes më të madhe që faktikisht po shtrihet në gjithë Europën.

Përndryshe, pardje, në këshillin e jashtëzakonshëm Europian, konstatuam se sa i vështirë është menaxhimi i valës së dytë të Covid-19, teksa makhti është rikthyer kudo më i fuqishëm.

Ashtu siç në pranverë arritëm ta zbrapsim virusin dhe në verë ristartuam ekonominë dhe turizmin, duke kontrolluar vështirësitë, kështu edhe tani duhet të lëvizim sërish paraprakisht.

Dhe me një plan dinamik në nëntor të pretendojmë një dhjetor më optimist.

Me një jetë sociale sa më normale që të mundim dhe me një lëvizje më të madhe në tregun e krishtlindjeve dhe të festave të fundvitit.

Sepse, vërtet, tremujorin e fundit ecëm me vetëm disa lëshime të vogla në zakonet tona të përditshme. Dhe ia arritëm.

Të dhënat tregojnë se akoma dhe sot, Greqia është ndër vendet me rastet më të pakta në Europë.

Mirëpo do të ishte gabim po qe se kjo na vinte në qetësi.

Sepse, kur pamjet e njohura të spitaleve të mbushura na shpien në ndërgjegjësimin e dimensioneve të problemit, atëherë do të jetë vonë.

Për fat të keq, koronavirusi din të kalojë nga të çarat e neglizhencës se disa pak njerëzve, që minojnë përpjekjen e shumicës. Dhe moti i mirë pushon së qeni aleati ynë, teksa pas pak do të kalojmë gjithmonë e më shumë kohë në ambiente të mbyllura.

Prandaj duhet të veprojmë tani. Tani. Para se të shemben pavijonet e trajtimit intensiv nga pesha e jetëve që janë në rrezik. Tani. Që kemi mundësinë e lokalizimit dhe gjurmimit të rasteve.

Tani. Që e dimë se kur marrim masa të shpejta dhe të adresuara këto japin rezultat. Sepse ka qytete që brenda pak ditëve i kapërcyen rreziqet.

Ndërsa të tjera, që nuk kishin problem nuk vepruan, me rezultat që në këtë moment të kërcënohen.

Duket se nuk arritëm të zbutim vetëkënaqësinë nga suksesi i fazës së parë.

Mirëpo lufta me koronavirusin nuk mbaroi. Dhe kështu, tashmë ftohemi për një betejë tjetër.

Bashkëqyetarë,

Që nga e marta në mëngjes dhe për një muaj vihet në zbatim një program, në bazë të të cilit territori ndahet tashmë në dy zona, në vend se katër. Zona Mbikëqyrjeje dhe zona Rreziku të shtuar.

Në zonën e parë përfshihen gjithë rrethet që deri tani paraqitnin relativisht pak raste, ato domethënë që deri më sot jenë në të gjelbër apo në të verdhë.

Aty do të jenë në fuqi masat e njohura, disa prej të cilave zgjerohen dhe janë si më poshtë:

Përdorimi i maskës kudo, në ambientet e brendshme dhe të jashtme.

Kufizim i qarkullimit nga ora 12,00 e mbrëmjes deri në orën 05 të mëngjesit.

Aplikimi i punës në distancë në masën 50% në sektorin shtetëror dhe atë privat.

Dhe mësim tërësisht online në universitetet.

Jo grumbullime. Dhe sigurisht, gjithmonë ruajtje e distancës dhe higjiena personale.

Në zonat e Rrezikut të Shtuar përfshihen zonat që deri më sot gjenden jo vetëm në të kuqe, por edhe në portokalli.

Domethënë, gjithë Greqia e Veriut dhe Atika, që nga java e ardhshme.

Posaçërisht në këto zona, në masat e mëparshme, shtohen edhe këto:

Pezullohet aktiviteti i gjithë lokaleve të ushqimit, me përjashtim të shpërndarjes në shtëpi të ushqimit dhe marrjes nga lokali.

E njëjta masë vlen edhe për ambientet e dëfrimit, kulturës dhe sportit.

Bar, kafe, kinema, muzeume dhe teatro si dhe palestrat e mbyllura.

Ndërkaq, përkundër pranverës, nuk ndalohet lëvizja nga një rreth në tjetrin.

Me fjalë të tjera, rregullat e reja që do të hyjnë në fuqi që nga ora 06,00 e të martës, përqendrohen në dy vatra që siç është verifikuar, favorizojnë transmetimin e virusit. Në dëfrimin dhe qarkullimin e qytetarëve.

Ndërsa vazhdon në gjithë territorin funksionimi i industrisë, i tregtisë me pakicë dhe i shkollave.

Ndërsa mbeten të hapura shërbime si hotelet dhe floktoret. Sepse aty të dhënat tregojnë që problemi mbahet nën kontroll.

Është fjala për një përshtatje të nevojshme të mbrojtjes tonë, teksa sulmi i virusit po shfaqet valë – valë.

Dhe ne duhet të përshtatemi në kohën e duhur.

Në raport me fazën e parë, tani qarkullimi është i lirë, pa nevojën e dërgimit të mesazheve sms.

Njësitë e tregtisë me pakicë mbeten të hapura, prodhimi vazhdon pa pengesë dhe shkollat funksionojnë normalisht.

Që ta them ndryshe, nuk flasim për një “ngrirje” totale të jetës së përditshme.

Sepse do ta përsëris: Një lockdown total përbën hapin më të fundit, që do të traumatizonte ekonominë dhe shoqërinë, duke minuar në të njëjtën kohë të nesërmen e vendit në shumë sektorë.

Janë masa të ngjashme me ato të cilat sanksionuan Franca dhe Gjermania, por pasi u goditën më herët nga dhjetra mijëra raste.

Dhe ne këtu po i zbatojmë më shpejt, duke këmbëngulur ta përballojmë virusin sa më shpejt që të mundim, kështu që të kemi ne, gjithmonë, iniciativën e lëvizjeve.

Palni ynë i kompletuar do të prezantohet në mënyrë analitike nga ministrat përkatës.

Dhe bashkë me të, një program emergjent i mbështetjes së punonjësve dhe bizneseve, që do të preken nga kufizimet e reja.

Kujtoj se deri më sot shteti po kompenson pagat që humbasin për shkak të pandemisë.

Vazhdon të mbulojë kontributet për siguracione të atyre që u detyruan të punojnë me orar të reduktuar.

Pezulloi shlyerjen e thuajse të gjitha detyrimeve.

Dhe e mbështeti rrjetin e prodhimit të vendit me shumë instrumente financiare.

Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe tani.

Shteti është kujdesur të ruajë rezervat, teksa kjo krizë manifestohet në shumë fronte.

Dhe do të qëndrojë sërish përkrah gjithë atyre që do të përballen me probleme tani.

Me dëmshpërblime, kredi, heqje detyrimesh dhe lehtësime që do të arrijnë në afro 1,5 miliardë euro.

Sepse, nëse jeta mbetet prioritet, ekonomia nuk pushon së qeni ajo që duhet të mbajtur gjallë për t’i shërbyer jetës.

E di se këto masa janë të vështira, kryesisht për gjithë ata që punojnë në sektorin e ushqimit, në argëtim dhe në kulturë.

Dua të dini se, ashtu si dhe në pranverë, do të jemi pranë jush. Askush, askush, nuk do të mbetet i pambrojtur.

Dhe, përderisa masat japin rezultat, do të mundim, në fillim të dhjetorit, të jetojmë në një mjedis më normal. Më të pjekur dhe më të ndërgjegjësuar.

Bashkqyetarë të mi,

Po e mbyll siç e fillova. Që nga momenti i parë doja ta shmangia këtë mesazh.

Mirëpo, e kërkojnë rrethanat.

Fjalët po mbarojnë. Dhe bashkë me fjalët shpresoj të mbarojë dhe vënia në diskutim e të dhënave reale.

Ju lutem, pra, t’i lemë shkencëtarët jashtë çdo konfrontimi.

Sepse, nëse vëmë në diskutim aftësitë e tyre, apo akoma më keq, nisim t’i akuzojmë se po luajnë lojëra politike, atëherë sharrojmë degën mbi të cilën jemi ulur të gjithë.

Po të humbim besimin tonë tek ekspertët, do t’u bindemi më kollaj thirrjeve të lehta dhe thjeshtëzuese.

Dhe nuk e kam fjalën tek ata pak “të spërkatur”. Por tek ata që me të drejtë janë të lodhur nga kjo peripeci disamujore.

Kritika institucionale politike le të kufizohet tek politikanët. Përndryshe, i pari unë marr përgjegjësinë e vendimeve.

Nuk iu fsheha vështirësive, nuk do ta bëj tani.

Tani është ora e veprimeve nga të gjithë dhe nga secili më vete.

Shteti sot prezanton planin e vet me objektivin që të qëndrojmë të shëndetshëm, derisa vaksina të shënojë agimin e një realiteti të ri të shndritshëm.

Ai moment duhet të na gjejë në këmbë dhe të bashkuar.

Të gatshëm të kapërcejmë edhe këtë sprovë kombëtare, ashtu siç vetëm ne, grekët dimë.

Mundemi dhe do ta bëjmë.

 

Ndaje me miqte