Mitsotakis: Të vendosë populli me zgjedhje për marrëveshjen e Prespës
Tribuna TV
03 Tetor 2018
Populli duhet të vendosë për marrëveshjen e Prespës, para se ajo të vijë në parlament, deklaroi kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, duke iu referuar marrëveshjes që nënshkruan Tsipras e Zaev për zgjidhjen e çështjes së emrit.
Duke folur gjatë vizitës në ishullin Samos, Mitsotakis përsëriti qëndrimin partia më e madhe opozitare nuk ka për ta votuar marrëveshjen, as tani dhe as në parlamentin që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme, ndërsa ndërmori një tjetër sulm ndaj qeverisë, për pikëpamjet e kundërta që ndajnë dy aleatët, SYRIZA dhe ANEL.
“Ne do të insistojmë: zgjedhje sa më shpejt që të jetë e mundur. Sa më shpejt që të iki kjo qeveri, aq më mirë do të jetë për vendin. Dhe për çështjen e marrëveshjes së Prespës le të vendosë populli, para se marrëveshja të vijë në parlament”, tha Mitsotakis.
Në vazhdim Mitsotakis shpjegoi planin e Demokracisë së Re për zhvillimin e ekonomisë. “Ne jemi zotuar se do të ulim tatimet për biznesin, duke ulur brenda një dyvjeçari tatimin e të ardhurave, nga 29% në 20%. Do të ulim TVSH-në (FPA) për ushqimin në 13%. Do të heqim taksën speciale për verën, një taksë që në thelb nuk solli asnjë fitim, por krijoi probleme të mëdha”.
Ndaje me miqte