Mitsotakis-Tsiprasit: "Je gënjeshtar, shpifës dhe kryeministër në largim"?
Tribuna TV
05 Korrik 2018
Kryetari i Demokracisë së re, Kyriakos Mitsotakis, ka sulmuar ashpër kryeministrin Tsipras, duke e quajtur “gënjeshtar”, “shpifës” dhe “kryeministër në largim”.
Gjatë fjalës së tij në debatin parlamentar të së enjtes, Mitsotakis e akuzoi shefin e qeverisë se ka mospërputhje ndërmjet fjalëve dhe veprave, për sa thoshte para zgjedhjeve të 2015-s dhe atyre që ka bërë si kryeministër.
Sipas Mitsotakisit, edhe në zgjedhjet e shtatorit 2015, Tsipras nuk e kishte paralajmëruar shoqërinë dhe as kishte folur për vendimet që do të merrte në vazhdim. “Zoti Tsipras, gënjeshtra thoshnit në janar dhe shtator 2015, gënjeshtra thoni edhe tani”, vuri në dikje Mitsotakis, ndërsa e akuzoi kryeministrin se 2i lutet Europës për fjalë simpatie dhe për një të rënë krahëve”.
Duke shtjelluar arsyet pse e kërkoi debatin parlamentar për ekonominë, Mitsotakis tha se e bëri që të thoshte të vërtetat që vijojnë:
- Në fund të gushtit mbaron programi që ishte i panevojshëm. Kjo do të thotë se vendi do të duhet t’u drejtohet tregjeve për të marrë huara. Por nuk do të kemi as përfundim të memorandumit dhe as dalje në tregje, përderisa çdo tremujor mbikëqyrja europiane do të bëjë raportin e vet.
- Akumulimi i suficiteve të larta rezulton nga “mbytja” e ekonomisë reale, tatimet e larta dhe vonesën e pensioneve, si dhe kontributet e rritura për sigurime shoqërore.
- Me firmën e Tsiprasit e të Tsakalotos e miratimin e Kammenos, vendi është angazhuar të marrë masa shtrënguese me vlerë 5,1 miliardë euro që të garantojë suficite 3,5% deri në 2022 dhe 2,2% deri në 2060.
Mitsotakis deklaroi që kur të bëhet ai kryeministër do t’i anulojë angazhimet që ka marrë qeveria aktuale me një “shock” krijues në ekonomi dhe sepse beson që grekët kanë aftësinë të bëjnë gjëra të mëdha. “Qeveria e Demokracisë së re do të luftojë dhe do të arrijë uljen e suficiteve primare, sepse është e padrejtë që grekët të paguajnë për dy breza paaftësinë dhe iluzionet e zotit Tsipras”.
Në përfundim të fjalës së tij Mitsotakis theksoi: “E vetmja dalje që mund të bëni është dalja nga pushteti me votime, sepse demokracia nuk ka rrugë pa krye”.