Mitsotakis: Vazhdojnë masat e ashpra që ka nënshkruar z. Tsipras
Tribuna TV
21 Gusht 2018
Kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis ka reaguar me ashpërsi pas mesazhit televiziv të kryeministrit Aleksis Tsipras. Kreu i partisë më të madhe opozitare nënvizon se “simbolika e Itakës është false” dhe se pas memorandumit të tretë “të panevojshëm, fillon një memorandum i katërt, joformal.
Sipas Mitsotakisit, “nuk arritëm në fund të rrugëtimit, pasi sot përfundon financimi i lirë, por vazhdojnë masat e ashpra dhe angazhimet e rënda që ka nënshkruar zoti Tsipras”.
Më tej, Mitsotakis i kthehet të kaluarës dhe vë në dukje se Tsipras “thoshte që do t’i grisë memorandumet. Por në vend të kësaj, nënshkroi një memorandum të tretë të panevojshëm që na kushtoi më shumë se 100 miliardë. Dhe tani fillon memorandumi i katërt joformal. Me shtrëngesa të vazhdueshme. Me reduktime të reja pensionesh. Rritje të tatimeve dhe të kontributeve. Suficite primare shkatërruese. Dhe mbikqyrje shumë e ashpër”.
Mitsotakis e cilëson mesazhin e kryeministrit nga Itaka si “një spektaklin e ri të ditës së sotme që shkakton veçse trishtim dhe zemërim. Jo vetëm vazhdon të thotë gënjeshtra. Por madje edhe sot, kur duhej të dominonte vetëdija dhe uniteti përballë sfidave të së ardhmes, insiston të përçajë grekët”.
“Inskenon përsëri fakte të rreme, siç bëri dhe mbrëmjen e 23 korrikut. Atëherë kur, në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv, dëgjonin garancitë e ministrave të tij se çdo gjë shkonte mirë, ndërsa në të njëjtën kohë dhjetra bashkëqytetarët tanë po digjeshin në Mati”.
Duke mbetur në tragjedinë e zjarrit të 23 korrikut, Mitsotakis vëren se “zoti Tsipras ende nuk ka kërkuar falje për atë tragjedi pa precedent, qoftë dhe nga turpi apo sa për sy e faqe. Atë që bëri me zjarret, po e përsërit sot me ekonominë. Prandaj, vetëm në një frazë do të pajtohem me të. grekët nuk janë lotofagë. Nuk do të harrojnë kurrë”.
Duke iu referuar reagimeve pozitive të ndërkombëtarëve, Mitsotakis vlerëson se “disa zyrtarë ndërkombëtarë janë lehtësuar, pasi Greqia ka ndërmarrë dhe angazhime të reja, por pa kërkuar më para hua. Problemi tashmë është vetëm i yni dhe jo i tyri”.
Mitsotakis përshkruan tezën e tij politike se “nuk kemi për të dalë nga kriza sa kohë që vazhdon qeveria aktuale, e cila insiston në mënyrë dogmatike në magmën absurde të taksave dhe kontributeve, duke injoruar ekonominë dhe të ardhurat e qytetarëve. Dhe nuk do të bëhet më e mirë jeta e grekëve, nëse nuk kemi një administratë publike eficente, shtet social modern, arsim konkurrues dhe siguri për të gjithë”.
Në mbyllje, Mitsotakis përsërit kërkesën e tij për ndryshim politik: “Kush e beson se këto mund t’i bëjë qeveria e sotme. Askush. Mashtruan, u provuan dhe dështuan. Prandaj ndryshimi politik imponohet. Greqia nuk ka më kohë për të humbur. Meritojmë të jemi më mirë. Të bashkuar, me solidaritet, me forcën e të vërtetës dhe duke lënë pas gënjeshtrat, mund ta shpiem atdheun tonë përpara”.
Ndaje me miqte