Mitsotakis: "Vendi nuk ka nevojë për emërime në shtet, po për një plan zhvillimi ekonomik"?
TV TRIBUNA
12 Nentor 2018
Kryetari i Demokracisë së re, Kyriakos Mitsotakis ka sulmuar sërish, kësaj here nga Kosturi, marrëveshjen e Prespës, që e cilësoi si “të turpshme” për vendin dhe popullin grek, ndërsa përsëriti se partia më e madhe opozitare nuk ka për ta votuar.
“Që këndej nga Kosturi themi se Demokracia e re nuk ka për ta votuar atë marrëveshje, as tani dhe as në parlamentin tjetër”, deklaroi Mitsotakis.
Duke iu referuar situatës politike në vend, lideri i opozitës tha se ai prej kohësh i ka rënë “kambanës së alarmit për periudhën e zgjatur paralektorale që po kalon vendi dhe për kreshendon e premtimeve të zotit Tsipras me qëllim që të përfitojë politikisht”.
“Vendi”, shtoi Mitsotakis, “nuk ka nevojë për emërime të kota në sektorin publik, por ka nevojë për punë, për investime dhe për një plan kombëtar zhvillimi që do të bëjnë të startojë makinën e ekonomisë reale”.
Ai shtoi se “Tsipras dhe Kammenos nuk disponojnë asnjë plan të tillë dhe mjaftohen me dukuritë më të këqija, ato që na çuan në falimentimin e vendit”.
“Grekët e paguan shtrenjtë ngjitjen e Tsiprasit në pushtet, nuk është nevoja të paguajnë edhe rrëzimin e tij”, theksoi Mitsotakis.
Ndaje me miqte