Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka theksuar se vihet në provë kredibiliteti i Bashkimit Europian, duke iu referuar vendimeve që pritet të merren në samitin e Unionit lidhur me Turqinë.
Në rendin e ditës jashtëzakonisht të pasur të takimit europian të nivelit të lartë, veçoj dy çështje të cilat kanë rëndësi të veçantë:
E para ka të bëjë me veton që kanë paralajmëruar Hungaria dhe Polonia sa i përket buxhetit dhe Fondit të Rimëkëmbjes.
Gjykoj se propozimi i kompromisit që është arritur lëviz në drejtimin e duhur dhe se kjo çështje do të zgjidhet sot.
Siç e dini, Greqia është një nga vendet e para që ka depozituar planin e vet të detajuar se si do të shfrytëzojë burimet e Fondit të Rimëkëmbjes.
Është tepër e rëndësishme, duke pasur parasysh edhe dimensionin e krizës ekonomike, që paratë nga fondi i rimëkëmbjes të shkojnë në ekonomitë reale të Europës sa më shpejt që të jetë e mundur.
Çështja e dytë që do të na preokupojë, ka të bëjë me situatën në Mesdheun Lindor dhe marrëdhëniet tona me Turqinë.
Këtu ajo që vihet në provë është mjaft e qartë: Kredibiliteti i Bashkimit Europian.
Në Këshillin Europian të tetorit, vendosëm, gjithë shefat e shteteve dhe qeverive, që në rast se Turqia vazhdon sjelljen delikuente do ketë pasoja.
Dhe përcaktuam bashkarisht se data e marrjes së vendimeve do të jetë sy samit, samiti europian i dhjetorit.
Tani, pra do të duket nëse vërtet si Europë jemi të besueshëm në ato për të cilat vetë ne kemi rënë dakord. “Pacta sunt servanda” (“Marrëveshjet duhet të mbazhen”).