Mogherini: KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë
ATSH
17 Prill 2018
TIRANË, 17 Prill/ATSH-Maela Marini/.- Komisioni Europian rekomandoi të martën hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Shefja për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini prezantoi zyrtarisht nga Brukseli progres-raportin e KE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Nga 6 partnerët e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë ecur mirë në negociata. KE rekomandon të vendosë të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Po punojmë për një opinion mbi kërkesën e Bosnje Hercegovinës dhe po ashtu me autoritetet kosovare për një progres të mëtejshëm në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, tha Mogherini.
Duke theksuar se çdo vend vlerësohet në bazë të meritës së vet për reformat, Mogherini shprehu bindjen se, reformat në këto vende do të vijojnë në të gjitha fushat.
“Politika e zgjerimit të BE-së është për ne një investim së pari në paqe, siguri, begati dhe stabilitetin e Europës. Ndaj që është në interesin tonë që të kemi një politikë zgjerimi të suksesshme. Kjo ofron mundësi në rritje dhe mirëqenie. Është një faktor i rëndësishëm që shtyn transforimimin e shoqërive dhe rrit stabilitetin dhe sigurinë në vendet e përfshira. Vetë procesi është ndërtuar me kritere të mirëvendosura dhe me kushtëzim të drejt dhe mjaft rigoroz. Secili vend partner vlerësohet në bazë të meritës së vetë edhe për të ofruar stimujt e nevojshëm për të shtyrë përpara reformat”, tha ajo.
Ndaje me miqte