Moska kundërpërgjigjet: Dëbon dy diplomatë grekë
Tribuna TV
07 Gusht 2018
“Dimri” në marrëdhëniet Athinë – Moskë duket se do të vazhdojë gjatë. Ministria e jashtme ruse i është kundërpërgjigjur me vonesë aktit të Athinës për dëbimin e dy diplomatëve rusë, të akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë.
Ambasadori i Greqisë në Rusi u thirr me urgjencë në ministrinë e jashtme në Moskë dhe mori në dorëzim notën, ku komunikohej vendimi për dëbimin e dy diplomatëve grekë, (atasheu tregtar dhe ai i shtypit), si ndalimi i hyrjes në Rusi për shefin e kabinetit të ministrit të jashtëm grek Nikos Kotzias.
Në njoftimin e ministrisë së jashtme ruse thuhet: “Ambasadori i Greqisë në Rusi, Andreas Friganis u thirr në ministrinë e jashtme ruse ku iu paraqit një notë me anë të së cilës Greqia njoftohej për kundërmasat që u morën nga pala ruse, në përgjigje të akteve jo miqësore të Athinës ndaj diplomatëve rusë, në korrik”.
Në këtë mënyrë, Moska u kundërpërgjigj me tri javë vonesë ndaj veprimeve të Athinës, që veç të tjerash kishin shkaktuar edhe anulimin e vizitës së ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov në Athinë, të programuar për në shtator.
Burime diplomatike në Athinë, të cituara nga shtypi grek, e konsiderojnë lëvizjen e Moskës si “asimetrike”. Sipas tyre, pala greke i mori masat pasi kishte dëshmi të qarta për veprimtarinë e personave konkretë sa brenda ambasadës ruse në Athinë aq edhe jashtë saj, me qëllim ndërhyrjen në punët e brendshme të vendit.
Kujtojmë se dy diplomatët si dhe dy qytetarë rusë, janë akuzuar për bashkëpunim me biznesmenë, me qëllim që të korruptojnë zyrtarë lokalë, klerikë ortodoksë, pjesëtarë shoqatash kulturore dhe organizatash të ekstremit të djathtë në Greqinë e Veriut. Objektivi i gjithë këtij operacioni ishte që të organizoheshin protesta ndaj marrëveshjes së Prespës, për ndryshimin e emrit të Ish republikës Jugosllave të Maqedonisë.
Ndaje me miqte