0030 210 33 18 483

Në Greqi punojmë 6 muaj vetëm për të shlyer taksat dhe detyrimet e tjera ndaj shtetit

TV TRIBUNA 06 Gusht 2019

A e dini se sa ditë duhet të punojë një qytetar në Greqi, që të mundë të shlyejë taksat dhe detyrimet e tjera ndaj shtetit?

Plot 180 ditë, domethënë, gati gjysmën e vitit nuk punojmë për vete, po për shtetin.

Kjo rezulton nga një studim i Qendrës për Studime Liberale (KEFiM), që u prezantua këto ditë në Athinë.

Sipas studimit, paratë që paguajnë qytetarët për taksa dhe kontribute për sigurimet shoqërore, janë thuajse dy herë më shumë nga paratë që shpenzojnë për nevojat e tyre bazike si strehimi, ushqimi, veshja dhe transporti.

Mesatarja e shpenzimeve vjetore të një familjeje në Greqi për mbulimin e nevojave bazike, llogaritet në 42 miliardë euro.

Në anën tjetër, vlera monetare e detyrimeve që familjet dhe bizneset kanë ndaj shtetit arrin në 78 miliardë euro.

Të ardhurat kombëtare neto për vitin 2019 parashikohet të jenë 158 miliardë euro.

Nga pjesëtimi i të ardhurave tatimore me të ardhurat kombëtare neto, rezulton se gjithë detyrimet e qytetarëve në Greqi ndaj shtetit, përfaqësojnë 49,36% të të ardhurave të tyre neto.

Kjo përqindje, e zbatuar në tërësinë e 365 ditëve të vitit, tregon se që të paguajnë detyrimet ndaj shtetit, qytetarët duhet të punojnë 180 ditë.

Në 2019 qytetarët në Greqi do të punojnë 73 ditë për taksat direkte, 46 për taksat indirekte dhe 61 për kontributet sociale.

Ndaje me miqte