0030 210 33 18 483

Nënshtetësia dhe lejet e qëndrimit. Malaj, dy propozime qeverisë

TV Tribuna 11 Shtator 2020

Eksperti i çështjeve të emigracionit dhe bashkëpunëtor i rregullt i TV Tribunës, Fatos Malaj, i është drejtuar me dy sugjerime ministrisë së brendshme dhe asaj të emigracionit.
Në sugjerimin e parë, drejtuar ministrisë së brendshme, Malaj analizon projektligjin për nënshtetësinë që pritet të dorëzohet së shpejti për votim në parlament.
Eksperti i emigracionit kërkon të ulet në mënyrë drastike tarifa prej 250 eurosh për pjesëmarrjen në provimin për certifikatën B1 të njohurive mbi gjuhën, historinë dhe kulturën.
Malaj argumenton se tarifa është jashtëzakonisht e lartë, aq më tepër po të kihet parasysh se e njëjta çertifikatë që merret në kurset e organizuara nga ministria e arsimit, kushton vetëm 50 euro.
Propozimi i dytë, drejtuar ministrisë së emigracionit, lidhet me lejet për arsye të jashtëzakonshme, ku aktualisht nuk mundet kush të aplikojë, për shkak të vështirësive që u krijuan nga masat për koronavirusin.
Duke parë vështirësitë me të cilat përballen shumë emigrantë dhe duke studiuar problemet e mëdha praktike që rezultojnë çdo ditë, propozimi im ndaj komisionit për rishikimin e ligjit për emigracionit, është, përmbledhtas, si më poshtë, shkruan Malaj:
Propozoj që emigrantët të cilët kanë mbushur mbi 7 vjet qëndrim në Greqi dhe që dëshmojnë se kanë krijuar lidhje të fuqishme me vendin dhe prandaj në bazë të ligjit mund të aplikojnë për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme, të kenë mundësinë që ta bëjnë këtë në cilëndo qendër të decentralizuar në territorin grek, pavarësisht vendbanimit. Qëllimi i këtij propozimi është i dyfishtë:
a) Nga njëra anë propozimi ka të bëjë kryesisht me situatën ekzistuese në qendrat e decentralizuara. Duke i njohur vështirësitë shpeshherë të pakapërcyeshme që përballojmë çdo ditë për shkak të mungesës së personelit dhe numrit të madh të kërkesave për caktimin e takimit, procedurat vonojnë në masë të konsiderueshme, mjaft herë edhe një vit e më shumë. Prandaj, ky propozim do të ndihmojë në mënyrë vendimtare për pakësimin e rrëmujës në administratat e decentralizuara dhe në funksionimin normal të tyre. Është e domosdoshme të ketë respekt sa për punën e punonjësve, aq edhe për të drejtat e aplikuesve.
b) Nga ana tjetër, bëhet për të lehtësuar gjithë procedurën, pasi shumë emigrantë për shkak të qëndrimit të paligjshëm në Greqi, për një kohë të gjatë, nuk kishin mundësi të nxirrnin AFM apo nipti tjetër që kërkohet, apo janë vazhdimisht në lëvizje për shkak të punës, me rezultat ta kenë vështirë të dëshmojnë një adresë të përhershme banimi.
Për arsyet e mësipërme ju parashtroj këtë propozim, realizimi i të cilit, jam i sigurt se do t’i shërbejë edhe shtetit, edhe qytetarëve.

Ndaje me miqte