0030 210 33 18 483

Nënshtetësia greke, arsyet e vonesave

TV Tribuna 24 Korrik 2020

E dimë që nuk themi diçka të re me konstatimin se marrja e nënshtetësisë në Greqi është një ndërmarrje që kërkon shumë kohë dhe durim.

Gazeta e madhe greke, Kathimerini, nën titullin “Vonesa të mëdha në dhënien e nënshtetësisë”, nënvizon që në fillim se “vonesat e mëdha dhe vështirësitë burokratike pengojnë integrimin normal” të qytetarëve që kanë aplikuar.

Kathimerini vë në dukje se afatet që parashikohen nga kodi i Nënshtetësisë Greke nuk zbatohen asnjëherë në praktikë.

Ndërsa ligji parashikon që për brezin e dytë vendimi i marrjes së nënshtetësisë duhet të dalë brenda 6 muajsh dhe për të rriturit (politografisi) brenda një viti, në fakt vonesat janë shumë të mëdha dhe shkojnë deri në katër dhe pesë vjet që nga aplikimi.

Ndërkohë, vetë ministri i brendshëm deklaroi para disa ditësh se ka dosje të pashqyrtuara madje dhe për aplikime që janë bërë në vitin e largët 2011!

Kathimerini nënvizon se kuadri ligjor është i mjaftueshëm, por nga ana tjetër është mjaft i mangët zbatimi.

Por cilat janë arsyet që ky proces ecën në mënyrë konstante me ritmin e breshkës?

Sipas të përditshmes greke, “vonesat e mëdha i dedikohen kryesisht mungesës për personel të shërbimeve të nënshtetësisë”. “Nëpunësit duan të transferohen në degë të tjera. Në të vërtetë, ky është një rreth vicioz: nëpunësit duan të largohen për shkak të volumit të madh të punës, por në këtë mënyrë rritet volumi për ata që mbeten”.

Një tjetër arsye lidhet me komisionet që zhvillojnë intervistat me aplikantët. Këto komisione mblidhen shumë rrallë, duke i detyruar kandidatët që të presin me vite thirrjen në intervistë.

Informacionet për çështjet e nënshtetësisë nuk mbërrijnë tek të interesuarit, ndërsa legjislacioni ndryshon shpesh, vë në dukje Kathimerini.

Një tjetër problem i madh krijohet me të dhënat e identitetit, që shkruhen me gabime në dokumentet zyrtare dhe në vazhdim, që të korrigjohet gabimi, i interesuari duhet t’i drejtohet gjykatës.

Ndaje me miqte