0030 210 33 18 483

Nënshtetësia greke, masa për të përshpejtuar procedurat

TV TRIBUNA 03 Nentor 2019

Pas katër muajsh në detyrë, sekretari për nënshtetësinë, Athanasios Balerbas, ka publikuar vendimet e para, që kanë për qëllim përshpejtimin e procedurave në dhënien e nënshtetësisë, ku edhe për shkak të zgjedhjeve të 7 korrikut, pati një ngadalësim dramatik të punës.

Një nga risitë e këtyre vendimeve është se rikthehet në periferi e drejta e firmës për shumicën e akteve të dhënies së nënshtetësisë.

Deri më tani, kjo e drejtë i ishte dhënë vetëm ministrit të brendshëm, me rezultat qindra vendime të prisnin më kot firmën e titullarit të ministrisë së brendshme.

Me vendimin e ri, shefat e shërbimit të nënshtetësisë të periferive kanë të drejtë të firmosin:

1. Vendimet për pranimin apo refuzimin e kërkesave për fitimin, humbjen dhe heqjen e nënshtetësisë greke që janë bërë sipas dispozitave të ligjit.

2. Vendimet për pranimin apo refuzimin e kërkesave për marrjen e nënshtetësisë greke me bazën e dispozitave të nenit 1A dhe 1B të Kodit të Nënshtetësisë greke. Bëhet fjalë për kategoritë e lindjes dhe arsimimit në Greqi si dhe për ata që kanë kryer 9 vjet të arsimit të detyruar grek.

3. Vendime për pranimin apo refuzimin e kërkesave për marrjen e nënshtetësisë greke me natyralizim (Politografisi) nga homogjenë, posedues të kartës së homogjenit, sipas dispozitave të ligjit 3838/2010.

Zgjidhje jepet edhe për një problem tjetër, shumë të mprehtë. Dhjetra bashkatdhetarë që e kanë fituar nënshtetësinë, nuk janë pajisur ende me letërnjoftimin grek, pasi vendimi për marrjen e nënshtetësisë nuk është publikuar ende në Gazetën Zyrtare. Për këtë, sekretari i përgjithshëm për nënshtetësinë, Athanasios Balerbas, udhëzon:

“Aplikimet për marrjen e nënshtetësisë greke, për të cilat kishte përfunduar procesi i shqyrtimit dhe ishin firmosur vendimet përkatëse, po për shkak të zgjedhjeve kombëtare të 7 korrikut 2019 u kthyen të pa publikuara në gazetën zyrtare dhe vazhdojnë të mbeten pezull në shërbimet tuaja, gjykohet me vend që të avancohen me prioritet emergjent dhe pa qenë nevoja që të shqyrtohen sërish. Domethënë, edhe nëse ka skaduar afati kohor i çfarëdo dokumenti”.

Ndaje me miqte