0030 210 33 18 483

Nënshtetësia greke, të ka skaduar leja apo pasaporta?

TV TRIBUNA 28 Shtator 2020

Pasaportat dhe lejet e qëndrimit që kanë skaduar, kanë krijuar probleme për qindra e qindra bashkatdhetarë.

Vendimi i qeverisë shqiptare për shtyrjen e pasaportave, si dhe vendimet e qeverisë greke për dy shtyrjet e lejeve të qëndrimit, herë zbatohen e herë jo, nga shërbimet publike këtu në Greqi.

Një nga kategoritë që kanë hasur probleme, është dhe ajo e qytetarëve shqiptarë që kanë aplikuar për nënshtetësinë greke.

Sipas ligjit, edhe pasaporta, edhe leja e qëndrimit duhet të jenë të vlefshme, që aplikimi të avancojë.

Më herët këtë vit, sekretariati i nënshtetësisë kishte nxjerrë një qarkore, që krijonte një farë lehtësie për disa prej aplikantëve, por e linte shumicën jashtë.

Tashmë, me një qarkore të re, tentohet të vihen pikat mbi “i”.

Qarkorja e lëshuar para disa ditësh, e ka titullin “Udhëzime lidhur me shtyrjen e lejeve të qëndrimit dhe skadimin e pasaportave të Shqipërisë, gjatë procedurës së marrjes së nënshtetësisë greke”.

Pas i referohet dy vendimeve për shtyrjen e lejeve të qëndrimit, atyre që kanë skaduar deri në 30 qershor dhe atyre që skadojnë nga 20 korriku deri në 31 dhjetor, sekretariati për nënshtetësinë udhëzon shërbimet e veta në gjithë Greqinë:

Ofrohet e drejta e aplikimit për marrjen e nënshtetësisë greke, për shtetasit që:

1.Disponojnë një titull qëndrimi i cili ka marrë shtyrje të afatit të vlefshmërisë

2.Që kanë vërtetimin blu, afati i të cilës nuk ka skaduar apo që ka marrë shtyrje.

Pra, si ata që u ka skaduar leja dhe u është shtyrë me vendimin e qeverisë, si ata që kanë veveosin e famshme, të pa skaduar apo të shtyrë, kanë mundësi që të aplikojnë për marrjen e nënshtetësisë greke.

Por edhe nëse aplikimi ka avancuar deri në fazën e firmosjes së vendimit për dhënien e nënshtetësisë, fakti se leja ka skaduar, nuk e pezullon procesin.

Në qarkoren e fundit thuhet:

Në rastin që aplikantët kanë paraqitur leje qëndrimi të vlefshme gjatë momentit të aplikimit, në vazhdim leja skadoi, mirëpo, përfshihet në shtyrjen e afatit të dhënë nga ministria e emigracionit, ofrohet mundësia e nxjerrjes së aktit administrativ për marrjen e nënshtetësisë greke, me kusht që aplikanti të ketë vërtetim të vlefshëm se ka paraqitur kërkesën për rinovimin e lejes së qëndrimit.

Këtu gota është disi bosh, për një kategori aplikantësh. Pasi ka shumë të tjerë që edhe pse leja u është shtyrë, nuk arritën, të paktën deri më tani, të mbyllin takim për rinovimin dhe ky takim të realizohet në një kohë sa më të shkurtër.

Sekretari i përgjithshëm i nënshtetësisë urdhëron drejtoritë vartëse në gjithë Greqinë, të gjejnë dhe të venë në evidencë gjithë dosjet që janë pezulluar në pritje të lejes së qëndrimit dhe të informojnë me çdo mjet e mënyrë aplikantët që të paraqesin sa më shpejt vërtetimin blu.

Sa u përket aplikantëve që lejet e tyre të qëndrimit skaduan në intervalin 1-20 korrik 2020, mendohet që këta janë trajtuar me prioritet nga shërbimet e emigracionit, rrjedhimisht e kanë vërtetimin blu. Prandaj udhëzimet e mësipërme do të zbatohen edhe për këtë kategori, përcakton qarkorja.

Sa u përket pasaportave të skaduara, qarkorja bën me dije se ka marrë njoftim mbi aktin normativ të qeverisë shqiptare për shtyrjen e vlefshmërisë së tyre deri në 31 dhjetor 2020.

Ju vëmë në dijeni se pranohen sa në paraqitjen e aplikimit, aq edhe në procesin e nxjerrjes së vendimit për dhënien e nënshtetësisë greke, pasaportat shqiptare që janë shtyrë, për gjithë aktet administrative që do të kryhen deri në fund të vitit 2020. Nga 1 janari 2021 dhe nëse nuk do të ketë një njoftim të ri, rikthehet kërkesa për pasaportë të vlefshme, përfundon qarkorja e sekretariatit për nënshtetësinë në ministrinë e brendshme greke.

Ndaje me miqte