0030 210 33 18 483

Nënshtetësia, si merret në vendet e tjera të BE-së

TV TRIBUNA 24 Janar 2020

Shqiptarët dhe marokenët janë grupet etnike më të mëdha që kanë marrë vitet e fundit nënshtetësinë e një vendi të Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Europian, 58.900 shqiptarë kanë marrë brenda një viti nënshtetësi europiane. 51% e tyre morën nënshtetësinë greke dhe 46% atë italiane.

Shqiptarët e Greqisë ankohen se kushtet për marrjen e nënshtetësisë greke janë mjaft të rrepta (pa llogaritur këtu edhe vonesat shumëvjeçare).

Po ç’ndodh në vendet e tjera të Bashkimit Europian dhe konkretisht në ato më të zhvilluarat. Për arsye interesi, në investigimin e TV Tribuna është përfshirë edhe Britania e Madhe, që është duke u larguar nga BE. Por e përfshimë për faktin se mjaft shqiptarë (mes të cilëve edhe ndjekës të televizionit tonë), janë vendosur tashmë në Angli.

BRITANI E MADHE

Nënshtetësinë britanike jepet me disa mënyra:

a) Nëse ke lindur në territorin e Mbretërisë së Bashkuar, nga një prind që ishte shtetas i MB në momentin e lindjes së fëmijës

b) Me lidhje gjaku

c) Me natyralizim

d) Pas birësimit

Kushtet për natyralizim:

1. Të jetë mbi 18 vjeç

2. Të ketë nivel të mirë komunikimi në anglisht

3. Të ketë njohje të mjaftueshme të mënyrës britanike të jetesës

4. Të ketë “karakter të mirë”, domethënë, të mos ketë shkelur ligjin, të ketë dëshmi penaliteti të pastër

5. Të banojë ligjërisht në MB të paktën pesë vjet (ose 3 vjet nëse është i martuar)

6. Të ketë qëndrim të vazhdueshëm në 5 ose tre vjet para datës që aplikon për natyralizim

7. Në këto 5 vjet të mos ketë munguar më shumë se 450 ditë jashtë Mbretërisë së bashkuar

8. Të mos ketë shkelur ligjin për emigracionin

9. Të ketë leje qëndrimi pa afat.

PAGESA: 1.330 Pounds

 

SUEDI

Kushtet

1. Të mundë të dëshmojë identitetin e vet, nëpërmjet pasaportës apo letërnjoftimit origjinal

2. Të ketë mbushur moshën 18 vjeç. Nëse ka edhe fëmijë nën moshën 18 vjeç, i përfshin edhe ata në aplikimin e tij

3. Të ketë leje të përhershme qëndrimi apo të drejtë qëndrimi të përhershëm

4. Të ketë jetuar në Suedi 5 vjet pa ndërprerje. Nëse është i martuar apo bashkëjeton me qytetar/e suedez dy vitet e fundit, mund të aplikojë pasi të ketë mbushur tre vjet qëndrim.

5. Të ketë sjellje të mirë sa kohë jeton në Suedi: Të mos ketë borxhe, të ketë dëshmi penaliteti zero.

Nëse ka kryer një kundravajtje, mund të ketë vonesa serioze në marrjen e nënshtetësisë.

P.sh., nëse ka marrë një gjobë të barabartë me 100 fishin e ditës së punës, vonesa për marrjen e nënshtetësisë mund të shkojë deri në tre vjet.

PAGESA: 1.500 SEK = 142,7 euro

 

DANIMARKË

Kushtet

1.Të ketë leje qëndrimi të përhershme dhe të jetë jetuar në vend për 9 vjet para aplikimit.

2.Të nënshkruajë një deklaratë ku betohet për besnikëri dhe bindje ndaj Danimarikës.

3.Disponon mjetet e jetesës dhe nuk ka përfituar nga asistenca sociale më shumë se gjashtë muaj në 5 vitet e fundit.

4.Të ketë çertifikatë për njohjen e gjuhës.

5.Të kalojë nga testi i nënshtetësisë, ku testohet për njohuritë mbi historinë, kulturën dhe shoqërinë daneze.

KURIOZITET: Procesi i nënshtetësisë zakonisht zgjat 18 muaj. Në vazhdim nevojiten dhe 3 muaj të tjerë që vendimi të përfshihet në një projektligj që duhet të kalojë nga parlamenti. Listat e nënshtetësive të reja kalojnë nga parlamenti dy herë në vit, dhe konkretisht vetëm në Prill dhe Tetor.

PAGESA: 3.800 DKK = 508,5 euro

 

GJERMANI

Kushtet

1. Të kenë mbushur tetë (8) vjet qëndrim të ligjshëm në Gjermani. Nëse janë martuar me shtetas/e gjerman/e, e qëndrimit ulet në tre (3) vjet

3. Të dëshmojnë se kanë njohje të mjaftueshme të gjermanishtes

Testi përbëhet nga një listë e gjatë pyetjesh, që përveç njohjes së gjuhës ofrojnë dhe një pamje më të përgjithshme të qëndrimit social të aplikantit. Kështu mund të pyetet se cili është mendimi i tij për homoseksualët e deri nëse do të merrte pjesë në një organizatë terroriste.

4. Të kenë dëshmi penaliteti zero

5. Të respektojnë Kushtetutën dhe të dëshmojnë se kanë burime të mjaftueshme ekonomike

6. Të heqin dorë nga nënshtetësia e mëparshme (me përjashtim të shtetasve nga vendet e BE-së)

FËMIJTË E LINDUR NË GJERMANI

Fëmijtë që lindin në Gjermani pas 1 janarit 2000 e marrin që në lindje nënshtetësinë gjermane.

Për këtë duhet:

1. Njeri nga prindërit ka leje qëndrimi të përhershëm për të paktën tre vjet

2. Jeton në Gjermani për të paktën 8 vjet

3. Midis moshës 18-23 vjeç duhet të vendosë nëse do të mbajë nënshtetësinë gjermane apo nënshtetësinë e parë.

PAGESA: 255 euro

 

AUSTRI

Kushtet

1.Të ketë qëndrim të ligjshëm për 10 vjet rresht.

2.Të mos ketë asnjë çështje gjyqësore të hapur, në Austri ose jashtë vendit.

3.Te disponojë mjetet e jetesës.

4.Njohje të mirë të gjuhës gjermane dhe njohuri themelore për sistemin demokratik dhe historinë e Austrisë.

5.Të mos jetë marrë vendim depërtimi nga vende të tjera të BE-së dhe Zvicra.

6.Të lerë nënshtetësinë e mëparshme.

PAGESA: 900 euro + 150 euro për administratën lokale

 

HOLANDA

Kushtet

1.Të jetë mbi moshën 18 vjeç.

2.Të paktën 5 vjet me leje qëndrimi të rregullt.

3.Të dëshmojë se lexon, shkruan, flet dhe kupton holandishten.

4.Pesë (5) vjet para aplikimit të mos jetë dënuar me burg apo sanksione alternative si shërbim në komunitet, si dhe të mos jetë ndëshkuar me një gjobë me vlerë më shumë se 810 euro.

PAGESA: 881 euro

 

BELGJIKË

Kushtet

1.Të jetë i regjistruar në regjistrin e banorëve.

2.Të ketë një qëndrim të ligjshëm në Belgjikë të paktën 5 vjet.

3.Të dëshmojë njohjen e njërës prej gjuhëve që fliten në Belgjikë.

4.Të dëshmojë integrimin social dhe pjesëmarrjen në jetën ekonomike.

PAGESA: 150 euro

 

FRANCË

Kushtet

Për fëmijtë:

a) Të kenë mbushur moshën 18 vjeç dhe pas moshës 11 vjeç të ketë jetuar në Francë.

b) Mund të aplikojë vetë kur të ketë mbushur moshën 16 vjeç dhe përderisa ka jetuar për 5 vjet në Francë deri në moshën 11 vjeç.

Për të rriturit:

1. Të ketë një qëndrim të vazhdueshëm e të ligjshëm prej 5 vjetësh në momentin e aplikimit

2. Të dëshmojë se është integruar në shoqërinë franceze. Kjo testohet në provimin e gjuhës dhe kuptimit të të drejtave dhe detyrimeve të qytetarit francez.

3. Të mos ketë kryer vepër penale që dënohet me më shumë se 6 muaj.

4. Të mos ketë kryer evazion fiskal.

PAGESA: 55 euro

 

LUKSEMBURG

1.Të jetojë ligjërisht në vend për të paktën 5 vjet.

2.ka njohuri të gjuhës luksemburgase, të certifikuar në testin përkatës.

3.ka kryer kursin “Jetojmë së bashku në Dukatin e Luksemburgut”.

PAGESA: 0

 

ITALI

Kushtet

1. Të ketë jetuar në Itali për 10 vite të vazhdueshme

2. Të ketë dëshmi penaliteti zero

3. Të provojë se disponon mundësinë ekonomike

Nëse ka lindur në Itali:

1. Duhet të ketë jetuar në Itali që nga lindje deri më mbushjen e moshës 18 vjeç

2. Të ketë pasur vazhdimisht leje të rregullt qëndrimi që nga lindja (ashtu si dhe prindërit)

3. Të jetë regjistruar në regjistrin e banorëve të bashkisë së vendbanimit.

PAGESA: 300 euro

 

Ndaje me miqte