0030 210 33 18 483

Në Parlament dispozitat e reja për nënshtetësinë. Pse koha e qëndrimit u bë 12 vjet, nga 7 që ishte më përpara

Tribuna TV 22 Mars 2018

Në Parlamentin grek janë depozituar për miratim dispozitat e reja për marrjen e nënshtetësisë nga emigrantët.

Sipas autorëve, dispozitat korrigjojnë disa pabarazi që krijoheshin në dëm të vetë emigrantëve, por edhe fëmijëve të tyre, ku parashikimet e Kodit të Nënshtetësisë, që u miratua në 2014, kishin lënë disa mangësi.

Me dispozitat e reja, të drejtën e marrjes së nënshtetësisë e kanë edhe fëmijët që kanë kryer në Greqi shkolla të huaja, por të cilat kanë pasur edhe programin e detyruar grek të arsimimit.

Kështu, dispozita e propozuar për miratim, përcakton (bëhet fjalë për rastet e aplikimit për shkak të lindjes në Greqi apo të ndjekjes së shkollës në Greqi):

“Fëmija i shtetasit të huaj që ka lindur në Greqi krijon të drejtën e marrjes së nënshtetësisë greke nëse përmbush këto kushte:

a) Është regjistruar në klasën e parë të një shkolle të nivelit të parë publike, apo shkollë të nivelit të parë që ndjek programin e detyruar grek të mësimit dhe mësimdhënies dhe të vazhdimit të njërës apo tjetrës shkollë në kohën që bën aplikimin”.

Njëlloj edhe për ata që vazhdojnë studimet në shkolla të niveleve të tjera:

Në nenin 2 të Kodit të nënshtetësisë, bëhet kjo shtesë:

“Shtetasi i huaj që ka banim të përhershëm dhe të ligjshëm në Greqi dhe ka përfunduar një degë apo fakultet të një universiteti publik grek (AEI) apo Institut Teknologjik (TEI), krijon të drejtën e marrjes së nënshtetësisë greke, përderisa disponon dëftesë lirimi nga një shkollë publike e nivelit të dytë apo të një shkolle të nivelit të dytë që ndjek programin e detyruar grek të mësimit dhe mësimdhënies. Aplikimi bëhet brenda një afati jo më shumë se 3 vjet, nga data e diplomimit në AEI apo TEI”.

Pas 12 vitesh qëndrim të ligjshëm, aplikon për nënshtetësinë

Në ndryshim nga dispozitat aktuale që u jepnin të drejtën e aplikimit emigrantëve që kishin statusin e rezidentit afatgjatë (epi makron dimenontos), pas shtatë vjetësh qëndrimi të ligjshëm në Greqi, dispozita që propozohet tashmë e shton në 12 vjet këtë afat.

Mirëpo ajo që ka shumë rëndësi është se tashmë këtë të drejtë e kanë të gjithë, pavarësisht llojit të lejes së qëndrimit. Dispozita e re që i shtohet nenit 5, përcakton:

“Shtetasi që dëshiron të bëhet qytetar grek me natyralizim (politografisi), duhet të disponojë çdo titull të ligjshëm qëndrimi, përveç atij provizorit dhe të aplikojë për natyralizimin nëse banon në mënyrë të ligjshme në Greqi për 12 vjet deri në momentin e aplikimit”.

Amendamentet e reja i janë bashkangjitur një projektligji për luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës familjare dhe nënshkruhen nga një sërë ministrash: ministri i brendshëm Panos Skurletis, i arsimit Konstantinos Gavroglu, ministri i jashtëm Nikos Ktzias, ministrja e rimëkëmbjes administrative Olga Gerovasili dhe ministri i politikës së emigracionit, Dimitris Vitsas.

Amendamentet pritet të miratohen brenda ditëve të ardhshme dhe pas kësaj pritet të dalë edhe qarkorja përkatëse me udhëzimet për mënyrën se do të zbatohen në praktikë.

Ndaje me miqte