Në prag të takimit Trump - Xi Jinping në Japoni
Zëri i Amerikës
25 Qershor 2019
Kina thotë se shpreson se një takim midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping do të ndihmojë në ndërtimin e besimit dhe në dobësimin e luftës tregtare midis dy ekonomive më të mëdha të botës.
Të dy udhëheqësit kanë në plan të bisedojnë këtë javë në takimin e G20-ës në Osaka të Japonisë, takimi i tyre i parë ballë për ballë, që pas ndërprerjes së bisedimeve tregtare në muajin maj.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Geng Shuang u tha gazetarëve të martën në Pekin se ka shpresa që takimi të nxisë besimin e ndërsjellë dhe "të zgjidhë disa nga çështjet e pazgjidhura me të cilat po përballemi tani".
Ministria e Tregtisë e Kinës tha se gjatë një bisede telefonike të hënën midis zëvendëskryeministrit kinez Liu He dhe përfaqësuesit të tregtisë të Shteteve të Bashkuara Robert Lighthizer, ata shkëmbyen mendime mbi tregtinë dhe ranë dakord që t’i vazhdojnë komunikimet.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se takimi do t'i japë zotit Trump mundësinë për të kuptuar qëndrimin e Kinës në luftën e shkallëzuar tregtare. Zyrtari shtoi se Presidenti Trump do të ishte "i kënaqur me çdo rezultat" të takimit.
Presidenti ka thënë se është i përgatitur të vendosë tarifa ndaj importeve kineze me vlerën e 300 miliardë dollarëve. Ky veprim do t’i shtrinte tarifat ndaj çdo malli që Kina do të transportojë në SHBA, pasi fillimisht ai pati vendosur tarifa prej 25 për qindsh ndaj importeve kineze me vlerën e 250 miliardë dollarëve. Kina u hakmorr, duke vendosur tarifa ndaj mallrave amerikane.
Ndaje me miqte