0030 210 33 18 483

Në provimin e nënshtetësisë...

Dhimiter SHKURTI 12 Prill 2019

Doli edhe personi i tretë nga salla. Ishte një djalë i ri rreth të tridhjetave që mërmëriti diçka nëpër dhëmbë. Pra edhe ai nuk e mori provimin. Të pranishmit i zuri frika. E vetmja që dukej e qetë, ishte Marina. Vajza që ndodhej në krah i pëshpëriti:

- Ti ose ke studiuar shumë, ose ke futur mik.

Marina vuri dorën në bark dhe buzëqeshi:

- Ndoshta është e dyta.

U dëgjua zëri i sekretares tek thirri: “Marina Bora Lezas”.

- Unë jam, – tha vajza, dhe u ngrit në këmbë. Vajza në krah e uroi dhe i ra krahëve. Fytyra e Marinës tregonte siguri sikur donte të thoshte: “Hajt, më në fund, të mbarojë edhe ky siklet”.

Kur u gjend para tryezës së komisionit, dikush i foli:

- Merr pyetjet dhe ulu diku të përgatitesh.

Ishte një burrë rreth të pesëdhjetave që duhet të ishte kryetari. I hodhi një sy pyetjeve. I dinte mirë të gjitha përgjigjet. Por ajo copë letër iu duk si një relikte e një kohe të vjetër dhe ata njerëzit përballë si manekinë.

- Nëse je gati mund të fillosh,- e nxorri nga situata kryetari.

- Sot jam gati më shumë se kurrë,- foli e vendosur vajza.

- Bukur, përse don të bëhesh shtetase greke?- pyeti kryetari me një ton të rëndë.

Marina vuri dorën në bark e mbylli sytë sikur donte të thoshte: “Mos ki frikë, jam unë këtu”. Mori frymë thellë e me zë të plotë filloi:

- Deri dje kisha shumë emocion për këtë provim. Kam plotësuar shumë dokumente këto vitet e fundit, çertifikata, vërtetime, fotografi, përkthime… Mezi prisja. Unë jam nga Shqipëria, por kam lindur këtu në Athine. Këtu u pagëzova dhe studiova. Kam qenë nxënëse e shkëlqyer. Studimet e larta i kreva për arkeologji. Atje njoha edhe Nikolën, u dashuruam dhe i dhamë besën njeri-tjetrit…

- Vajzë, futuni në temë, të gjithë ata që presin jashtë këtë biografi kanë,- ndërhyri e vetmja grua në komision.

- Ju lutem zonjë mos më ndërprisni. Sigurisht që pyetjet i di shumë mirë, pasi i kam dhënë provim disa herë. Në shkollë kam studiuar historinë dhe kulturën greke, ndërsa për atdheun e parë nuk di shume gjëra. Por prindërit më kanë mësuar gjuhën shqipe. Kjo nuk na ka penguar të dashurohemi me Nikolën.

- Zonjushe, ne duam fakte, duam përgjigje me shkrim, duam një vërtetim që ti je e përgatitur, për ta vendosur në dosjen tënde.

Marina zbërtheu xhupin dhe nxori nga gjiri një zarf. E vështroi si të ishte një qenie e gjallë dhe iu drejtua komisionit:

- Para se të vija këtu takova gjinekologun. Ai më dha lajmin më të dashur për një vajze: do të bëhem nënë. Pres një fëmijë.

Ndaloi pak mori frymë thellë e vazhdoi duke i parë të gjithë në sy:

- E kuptoni gjendjen time? Jam e lumtur se do të sjell në jetë një fëmijë që nuk është si shumë të tjerë. Është një embrion që ka mbirë e rritet brenda meje, fryt i një dashurie të sinqertë që nuk njeh kufij, nuk njeh rregulla strikte, nuk njeh dogana, rregullore apo pasaporta. Unë e dua këtë vend por me shume dua njerëzit e këtij vendi, pasuria më e madhe e tij, ashtu siç do im shoq njerëzit e mi.

Anëtarët e komisionit po e dëgjonin me vëmendje. Kjo i dha krahë vajzës të përfundonte ligjëratën e saj:

- Më kërkuat një dokument për dosjen time. Urdhëroni,- tha dhe i zgjati zarfin kryetarit. -Këtu është EKO e pare e foshnjës tonë. Nuk e ka parë askush, as Nikola me babanë që presin jashtë. Nuk me intereson se çfarë vendimi do të merrni ju. Vetëm do t’ju lutesha të vendosni këtë dokument në dosjen time. Eshtë përgjigjja më e mirë për pyetjen që më bëtë në fillim. Është betimi dhe dashuria ndaj njeri tjetrit e dy të rinjve, si gjitonë, ballkanas dhe evropianë. Zemra e këtij embrioni do të jetë kaq e madhe, sa do t’i përqafojë të gjithë, pa pyetur për kufij dhe mërira të vjetra.

U ngrit dhe pasi i përshëndeti u drejtua për në dalje. Komisioni kishte ngelur i shtangur. Vetëm kryetari brofi në këmbë dhe e arriti tek dera. Ishte i mallëngjyer. E përqafoi fort, si vajzën e tij dhe e uroi:

- Paç fat, moj bijë.

Doli. Fytyra e vajzës shprehte lumturi. Iu afrua vajzës që kishte shkëmbyer dialogun para provimit dhe pasi e përqafoi i tha:

- Mos u shqetëso. Komisioni nuk është gogol. Suksese..

I jati e priste në këmbë. Në krahun tjetër u gjend Nikola. I përqafoi të dy me vështrimin nga barku. Të lumturuar zbriten shkallët e dolën në bulevardin e madh. Një ditë e re po niste startin e saj. Njerëzit vraponin në punët e tyre. Marina donte të ecte në drejtim të kundërt me ta, t’i kishte përballë, t’i shihte në sy e të ndante me të  gjithë gëzimin e ri.

DHIMITER SHKURTI

Ndaje me miqte