0030 210 33 18 483

Nafta për ngrohje, si do të jepet subvencionimi

TV TRIBUNA 15 Tetor 2019

Që nga e marta ka filluar shpërndarja e naftës për ngrohje, që do t’u disponohet konsumatorëve me një çmim që varion ndërmjet 1,02 -1,05 euro/litër. Sipas mediave greke, çmimi sivjet është rreth 11% më i ulët nga sa në tetor 2018.

Ndërkohë, qeveria po shqyrton një regjim të ri për subvencionimi për ngrohje, por edhe likuidimin e tij para fundit të vitit, me qëllim që mos të rëndohet buxheti i 2020-s.

Brenda kësaj jave pritet të publikohet edhe vendimi përkatës për dhënien e subvencionimit, ndërkohë që qeveria është e orientuar ta rrisë fondin me 10 milionë euro më shumë, duke arritur gjithsej në rreth 68 milionë.

Në këtë kuadër po shqyrtohet rritja e shumës bazike të subvencionimit, si dhe vendosja e kritereve shtesë, me qëllim që ndihmën ta përfitojnë familjet me vështirësi reale ekonomike.

Vihet në dukje se subvencionimi i ngrohjes u jepet çdo vit mijëra familjeve, duke u mbuluar shteti një sasi të caktuar, në varësi të kritereve gjeografike, të të ardhurave dhe pronësore.

Zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas, shpjegoi që nuk ka për t’u dhënë një paradhënie e subvencionimit, por të gjithë ata që do të blejnë naftë për ngrohje në tetor, nëntor apo dhjetor, do të paguhen brenda këtij viti me gjithë shumën e subvencionimit. Qeveria gjithashtu po shqyrton zgjerimin e kriterit të të ardhurave, me qëllim që subvencionimin ta përfitojnë sa më shumë familje.

Sipas legjislacionit aktual, përfitues të subvencionimit për ngrohje janë:

1. Taksapagues të pamartuar, të cilët vitin e mëparshëm kishin një të ardhur të përgjithshme deri 12.000 euro dhe që në 1 janar të këtij viti kishin pasuri të patundshme me vlerë objektive deri 130.000 euro.

2. Të martuar dhe gjithë sa kanë kontratë bashkëjetese, të cilët vitin e mëparshëm kishin një të ardhur të përgjithshme familjare deri 20.000 euro dhe që në 1 janar të këtij viti kishin pasuri të patundshme me vlerë objektive deri 250.000 euro. Kriteri i të ardhurave 20.000 euro, shtohet me 2.000 euro për çdo fëmijë të mitur.

3. Familje me një prind, që vitin e mëparshëm kishin një të ardhur të përgjithshme familjare deri 22.000 euro dhe që në 1 janar të këtij viti kishin pasuri të patundshme me vlerë objektive deri 250.000 euro. Kriteri i të ardhurave 22.000 euro, shtohet me 2.000 euro për çdo fëmijë të mitur pas fëmijës së parë.

Ndaje me miqte