Najada Çomo kandidate për deputete e PS-së në zgjedhjet e 25 prillit
ATSH
04 Mars 2021
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mjekja Najada Çomo, shefja e Spitalit Infektiv do të kandidojë për deputete e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit.
Në fjalën e tij në aktivitetin e organizuar “Rruga drejt 25 Prillit – Shëndetësia që duam” Kryeministri Rama tha se, “në mënyrë spontane nxora një sekret të vogël që nuk ishte i presupozuar të dilte sot, pasi ne me shumë kënaqësi morëm aprovimin tënd. Të jap fjalën që ne nuk duam që ti bëhesh si ne, ne duam të bëhemi si ty e për këtë na ndihmon prania jote”.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “është një arsye për të bërë një hap për të shtrirë dorën e lutjes duke kërkuar që dikush, dhe kush më mirë sesa komandantja e vijës së zjarrit e njohur nga të gjithë, të vijë me ne jo për t’u bërë deputetja e radhës në një grup deputetësh apo deputetesh dhe as për të lënë vijën e zjarrit dhe për t’u ulur në një nga karriget, që sidoqoftë janë shumë të rehatshme edhe pse jo aq të rehatshme sa njerëzit mendojnë, sesa qëndrimi në këmbë 24 orë në 7 ditë të javës në vijën e zjarrit”.
Ndaje me miqte