NATO investon 50 milionë euro për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës
TV Tribuna
04 Gusht 2018
Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.
Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
Duke e konsideruar një lajm shumë të mirë, Rama shprehet se “me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, NATO do të investojë mbi 50 milionë euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës”.
Përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, sipas Kryeministrit, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për policimin ajror; si dhe trainime dhe stërvitje të Aleancës.
Kuçova, thekson Rama, do të shërbejë njëkohësisht edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe ky investim strategjik i NATO-s në Shqipëri, do të sjellë një standard të ri për Forcat tona të Armatosura.
Padyshim, thekson Kryeministri, një investim i këtyre përmasave krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik e social të gjithë rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze të re ajrore të teknokogjisë së fundit.
“Paralelisht, po zhvillohen diskutime direkte me partnerin tonë strategjik, SHBA, për modernizimin e mëtejshëm të kapaciteteve ajrore shqiptare. Së shpejti, pritet qe vendimet e përbashkëta të këtyre diskutimeve do të shkojnë për miratimin e Kongresit Amerikan”, përfundon Rama.
Shqipëria kërkonte bazë detare
Lajmit të kumtuar “ekskluzivisht” nga kryeministri Rama, i kanë bërë jehonë gjithë mediat prestigjoze ndërkombëtare, kryesisht duke publikuar korrespondencën e agjencisë Associated Press, që gjithashtu citonte si burim kryeministrin shqiptar.
Duket se Nato ka shfrytëzuar ofertën e bërë nga vetë qeveria shqiptare, tre muaj më parë. Ministrja shqiptare e mbrojtjes Olta Xhaçka, gjatë takimit me sekretarin amerikan të mbrojtjes James Mattis kishte kërkuar që Shtetet e Bashkuara të ndërtonin një bazë detare në Shqipëri, e cila të vendosej nën ombrellën e NATO-s.
“Ne jemi të shqetësuar për disa kërcënime me të cilat ballafaqohet rajoni ynë dhe mendojmë se është shumë e rëndësishme që NATO dhe SHBA të kushtojnë pak rëndësi për atë që po ndodh në Ballkan”, u kishte thënë Xhaçka pas takimit gazetarëve.
Ndër ato kërcënime, ministrja e mbrojtjes kishte emërtua, e cila, kishte thënë, po përpiqet të rrisë influencën e saj në rajon.
Ndaje me miqte