Ndërron jetë ish presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias
TV Tribuna
26 Dhjetor 2021
Ish presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias është ndarë nga jeta të dielën, në moshën 92 vjeç.
I lindur në vitin 1929 në Molyvdhoskepastos të Janinës, Karolos Papulias kreu studimet e larta në fakultetin juridik të Athinës dhe ato pasuniversitare në Universitetin e Milanos. Gjithashtu mbrojti doktoraturën në univerxitetin e Këlnit.
Në vitin 1974 u përfshi në Lëvizjen Panhelenike Socialiste (PASOK) dhe për 27 vjet rresht (1977-2004)u zgjodh si deputet i Janinës .
Në qeverinë e parë socialiste të Andreas Papandreut (1981) u emërua zëvendësministër i jashtëm, post që e mbajti deri në vitin 1984, kur u ngrit në detyrë si ministër alternat i punëve të jashtme.
Në periudhën 1985-1989 ishte ministër i jashtëm dhe në qeverinë ekumenike (1989-1990) shërbeu si ministër alternat i mbrojtjes.
Në postin e ministrit të jashtëm u rikthye në tetor 1993 për të qëndruar deri në 1996, kur dha dorëheqjen qeveria Papandreu në prag të zgjedhjes së Kostas Simitisit si kryeministër.
Në mandatin e tij të fundit si deputet ishte kryetar i komisionit të politikës së jashtme dhe mbrojtjes të parlamentit grek.
Në dhjetor 2004 u propozua nga kryeministri i atëhershëm konservator, Kostas Karamanlis për postin e presidentit të republikës. Kandidatura u mbështet edhe nga PASOK-u. Papoulias u zgjodh që në votimin e parë, në 8 shkurt 2005, duke marrë 279 vota në parlamentin 300 vendësh.
Në 3 shkurt 2010, Karolos Papoulias u rizgjodh me 266 vota nga 298 deputetë pjesëmarrës në votim. Kështu, u bë i treti politikan grek që rizgjidhet për një mandat të dytë.
Karolos Papoulias ishte i martuar me zonjën Maria Pantou dhe ishte baba i tri vajzave.
Mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve
Karolos Papoulias ka mbetur në histori i iniciator i abrogimit të ligjit të gjendjes së luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë, në gusht 1987 -një ligj i vendosur me dekret mbretëror në vitin 1940 dhe ende nuk është shfuqizuar zyrtarisht.
Në gjithë veprimtarinë e tij dhe deklaratat publike Papoulias është shprehur si një mik i sinqertë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilët gjithashtu e kanë përcjellë vazhdimisht me ndjenja të larta simpatie.
Ndaje me miqte