VATIKAN, 21 prill /ATSH/ – Papa Françesku ka ndërruar jetë sot në mëngjes, njoftoi kardinali, Kevin Joseph Farrell.
Ati i Shenjtë u shua në moshën 88-vjeçare një ditë pas festës së Pashkës.
Në deklaratën e tij, kardinali Farrell tha se “me dhimbje të thellë më duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku.
”Në orën 07:35, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht në favor të më të varfërve dhe më të margjinalizuarve. Me mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ne e përgëzojmë shpirtin e Papa Françeskut në dashurinë e pafundme të mëshirshme të Zotit”, theksoi ai.
Papa Françesku u shfaq një ditë më parë në Bazilikën e Shën Pjetrit për bekimin tradicional ”Urbi et Orbi”, në fund të meshës së Pashkëve, të kremtuar në sheshin e Shën Pjetrit nga kardinali Angelo Comastri.
Po gjatë paradites së djeshme në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, Papa Françesku zhvilloi një takim të shkurtër privat me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, James David Vance.
Sipas njoftimit nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, takimi që zgjati disa minuta, krijoi mundësinë për të shkëmbyer urimet në ditën e Pashkëve.