ND: Tsipras, guximtar në gënjeshtrat, frikacak ndaj të vërtetës
Tribuna TV
09 Shtator 2018
“Guximtar në gënjeshtra, frikacak ndaj të vërtetës. Fjalimi i tij të shtunën dhe konferenca e shtypit të dielën e kryeministrit në largim, dëshmuan atë që tashmë e kanë kuptuar të gjithë grekët. Se do të thotë dhe do të bëjë gjithçka, me qëllim që të qëndrojë edhe disa muaj në karrigen e vet”, ka komentuar partia më e madhe opozitare, Demokracia e re, konferencën për shtyp që dha kryeministri Tsipras në kuadër të panairit të Selanikut.
Sipas Demokracisë së re: “Zoti Tsipras kishte paturpësinë të pretendojë se kishte plan që nga 2015-a, ndërsa solli dy memorandume të panevojshme dhe e dëmtoi Greqinë me më shumë se 100 miliardë euro. Kishte paturpësinë të mbrojë sërish marrëveshjen që i jep Shkupit “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase”, në kohën që shumica dërrmuese e grekëve e rrëzon atë marrëveshje. Kishte paturpësinë të premtojë lehtësime tatimore, në kohën që ka shkatërruar me ndërgjegjje shtresën e mesme dhe ka varfëruar gjithë grekët. Dhe nuk kishte guximin t’i përgjigjet pyetjes që kanë të gjithë grekët: E dinte apo nuk e dinte se kishte të vdekur në momentin që po jepte spektakël televiziv mbrëmjen e katastrofës së madhe në Mati”.
“Sot zoti Tsipras dëshmoi që për veçse i paaftë dhe i rrezikshëm, është i paturpshëm në gënjeshtra dhe frikacak ndaj të vërtetës”, përfundon deklarata për shtyp e Demokracisë së Re.
Ndaje me miqte