0030 210 33 18 483

Ndahet nga jeta aktori i dashur i humorit, Zef Deda

ATSH 24 Nentor 2023

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare Mjeshtri i Madh i humorit Zef Deda. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur djali i tij, aktori Julian Deda.

Zef Deda prej pak kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai ka ndërruar jetë në qytetin e tij, Shkodër, ndërsa pritet që ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të bëhet të shtunën, kur edhe do të mbahen homazhet në teatrin “Migjeni”.

Zef Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Ka punuar për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikati që në moshë të vogël.

Një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, humoristi Zef Deda është cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë.

Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai realizoi qindra figura artistike.

Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit.

I paharruar do mbetet në kujtesën e shkodranëve dhe gjithë shqiptarëve për humorin, batutat dhe karakteret që solli me mjeshtri.

Ndaje me miqte