0030 210 33 18 483

Ndahet nga jeta kompozitori i madh Thanos Mikrutsikos

TV Tribuna 29 Dhjetor 2019

Kompozitori i madh grek, Thanos Mikrutsikos është ndarë nga jeta të shtunën, 28 dhjetor, në moshën 72 vjeçare.

Prej shumë vitesh ishte goditur nga kanceri dhe muajt e fundit po kurohej në spitalin Metropolitan, ku vdiq për shkak të një ataku në zemër.

Thanos Mikrutsikos u lind në Patra në 1947. Në vendlindje filloi studimet  muzikore që i vazhdoi në odeonin Kombëtar në Athinë. Kreu studimet universitare për matematikë dhe paralelisht perfeksionoi njohuritë për muzikën edhe në fushën e kompozicionit.

Nisi të kompozonte këngë në fund të viteve 1960, por disku i tij i parë, me titull “Këngë politike”, qarkulloi në 1975. Vazhdoi krijimtarinë si një artist i angazhuar, duke shndërruar në këngë tekste të poetëve Janis Ritsos, Vladimir Majakovski, Manos Eleftheriu, Bertold Breht, etj.

Ka bashkëpunuar me emrat më të njohur të muzikës greke, si Haris Aleksiu, Manolis Mitsias, Dhimitris Mitropanos, Vasilis Papakonstantinu, etj., por edhe me këngëtaren e madhe italiane, Milva.

Krahas këngës, është marrë me thuajse të gjitha zhanret e muzikës. Vepra të tij janë interpretuar në skenat e Greqisë, por edhe të botës (Belgjikë, Francë, Angli, Itali, SHBA, Zvicër, Gjermani, Rumani, Australi, etj.).

Në vitin 1993 u përfshi në qeverinë e Andreas Papandreut si zëvendësministër i kulturës dhe një vit më vonë, ministër, duke qëndruar në këtë post deri në 1996.

Vitet e fundit u rikthye në partinë komuniste greke dhe në zgjedhjet e 7 korrikut 2019, ishte një nga kandidatët e listës “epikratias”

Ndaje me miqte