0030 210 33 18 483

Ndahet nga jeta Kostas Voutsas

TV TRIBUNA 26 Shkurt 2020

Aktori i shquar i ekranit dhe skenës greke, Kostas Voutsas, është ndarë nga jeta të mërkurën, në moshën 89 vjeç. I ndjeri javët e fundit ndodhej në reanimacion, në spitalin Attikon, pas një episodi kardiak.

Me një karrierë gati 70 vjeçare, Kostas Voutsas la shenjën e vet të ndritur në kinematografinë greke, kryesisht nëpërmjet roleve komike, që e bënë të mbetet shumë i dashur për publikun.

Kostas Voutsas (mbiemri i vërtetë ishte Savopoulos), lindi në dhjetor 1931 Athinë në një familje refugjatësh nga Traka Lindore. U rrit në Selanik ku u vendos më vonë familja e tij dhe i jati punonte si punëtor në shtrimin e rrugëve. Edhe Kosta i vogël u mor me shumë punë, për të ndihmuar mbijetesën e familjes. Në kohën e pushtimit nazist të Greqisë, bashkë me fëmijë të tjerë, shkonte nëpër kinematë e qytetit dhe shpërndante trakte.

Pas lufte u mor me sport, si atletikë, kanotazh, volejboll dhe basketboll. Pritja për aktrimin u shfaq rastësisht, kur në Mihaniona të Haklidikisë, ku ndodhej për stërvitje, ndoqi një shfaqje teatrale në një kamp fëmijësh. Aty bëri një vërejtje për një fëmijë që interpretonte rolin e një të dehuri dhe drejtuesi i shfaqjes i tha që nëse mendonte që ai mund ta bënte më mirë rolin, le të ngjitej në skenë. Ky ishte dhe interpretimi i tij i parë.

Në moshën 18 vjeçe përfundoi shkollën e dramës në odeonin e Selanikut dhe për dy vjet ishte pjesë e një trupe aktorësh shëtitës. Më pas shkoi në Athinë, ku i nevojitej të pajisej me leje të ushtrimit të profesionit si aktor. Lejen e mori vetëm pas herës së tretë që u fut në provim, pasi dy herët e para komisioni kishte gjykuar se Voutsas nuk bënte për aktor.

Debutimi i tij në kinematografi u bë në vitin 1953 me një rol episodik në filmin “Babai po mëson”, pasoi një rol më i plotë në kinokomedinë “Zonja jonë mamija” (1958) dhe gradualisht dominoi kinokomedinë gjatë gjithë viteve 1960 duke qenë një prej aktorëve më të dashur të kinoregjisorit Janis Dalianidis.

Kostas Voutsas ka interpretuar në më shumë se 70 filma, por edhe serialë televizivë, ndërsa të shumta janë rolet e tij edhe në skenën e teatrit.

Siç thoshte vetë Voutsas, ai vazhdimisht votonte për partinë Komuniste, në respekt të bindjeve të të jatit.

Përveç aspektit artistik, Kostas Voutsas do të mbetet i paharruar edhe për dobësinë e tij ndaj femrave.

U martua tri herë dhe siç thoshte, të gjithë gratë dhe femrat me të cilat kishte pasur lidhje vazhdonin të ruanin dashurinë dhe respektin për të.

Martesa e fundit ishte në vitin 2016 me një aktorë shumë më të re në moshë. Nga kjo martesë lindi dhe një djalë, për të cilin Voutsas thoshte se donte të jetonte sa më gjatë që të gëzonte pjellën e tij...

Ndaje me miqte