0030 210 33 18 483

Ndahet nga jeta Teodoros Pangalos

TV Tribuna 31 Maj 2023

Politikani i njohur grek, Teodoros Pangalos është ndarë nga jeta në moshën 84 vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur të martën në mesditë familja, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“I dashuri ynë Teodoros Pangalos u largua sot nga ne, qetësisht në shtëpinë e vet, duke pasur pranë gjithë familjen dhe bashkëpunëtorët e ngushtë. Rroga e mbarë, i shtrenjti ynë. Do të të kujtojmë gjithmonë me dashuri”.

Teodoros Pangalos u lind në Elefsina, në 17 gusht 1938.

Kreu studimet për jurisprudencë në Athinë dhe për ekonomi në Paris, me bursë nga qeveria franceze.

Ai pati një rol aktiv në rezistencën kundër juntës së kolonelëve, me rezultat t’i hiqet shtetësia greke.

Nga 1969 deri në 1978 punoi në universitetin e Sorbonës si pedagog dhe hulumtues. Ishte gjithashtu drejtor i institutit të zhvillimit ekonomik në të njëjtin universitet.

Në 1981 u zgjodh për herë të parë deputet me PASOK-un, një post që e mbajti vazhdimisht, deri në 2012.

Ka shërbyer si ministër i tretisë (1982), zëvendësministër i jashtëm i ngarkuar për çështjet e Komunitetit Europian (1984) dhe ministër alternat i jashtëm (1985-1989).

Në periudhën 1989-1993 ishte përfaqësues i parlamentit grek në Këshillin e Europës.

Në tetor 1993 me rikthimin në pushtet të PASOK-ut, u emërua nga Andreas Papandreou ministër alternat i punëve të jashtme. Në korrik 1994 kaloi në krye të ministrisë së transporteve dhe në janar 1999 u betua si ministër i jashtëm, post që e mbajti deri në shkurt 1999.

Në prill 2000 u emërua ministër i kulturës. Në qershor 2003 u emërua përfaqësues i PASOK-ut në këshillin kombëtar të politikës së jashtme. Në 2004 ishte koordinator i zgjedhjeve për PASOK-un.

Nga 2004 deri në 2009 ishte përfaqësues i parlamentit grek në asamblenë parlamentare të Europës Perëndimore dhe në këshillin e Europës.

Në 6 tetor 2009 u emërua nënkryeministër, post në të cilin qëndroi deri në maj 2012, kur vendosi të tërhiqej nga politika.

Vitet e fundit ishte një komentator aktiv i jetës politike dhe sociale greke dhe shpesh prononcimet e tij shkaktonin debate të zjarrta.

Teodoros Pangalos shprehej gjithmonë krenar për origjinën e tij arvanitase, çka nuk linte rast pa e shprehur.

Ndaje me miqte