0030 210 33 18 483

Ndalimi i qarkullimit, kush dhe si ka të drejtë të lëvizë

TV Tribuna 22 Mars 2020

Pjesëtarë të kabinetit qeveritar kanë zbardhur se si do të zbatohet urdhëri për ndalimin e qarkullimit që komunikoi pasdite kryeministri Mitsotakis, me anë të një mesazhi televiziv.

Për çfarë lejohet qarkullimi
Sipas zëvendësministrit të mbrojtjes civile, Nikos Hardalias, qarkullimi i qytetarëve do të lejohet vetëm për arsyet e mëposhtme:
a) Shkuarja dhe kthimi nga puna, gjatë orarit të punës.
b) Shkuarja në farmaci apo vizita të mjeku, në rast se kjo rekomandohet pas komunikimit përkatës.
c) Shkuarja në njësitë tregtare të shitjes së artikujve të nevojës së parë, kur nuk është i mundur dërgimi i tyre në banesë.
d) Shkuarja në bankë, atëherë kur nuk është e mundur që transferta të kryhet nëpërmjet internetit.
e) Lëvizja për t'iu ofruar ndihmë personave në nevojë.
f) Shkuarja në ceremoni të tilla si varrime, martesa, pagëzime, me kushtet që parashikon ligji.
g) Ushtrime fizike në mjedise të jashtme apo lëvizje me kafshë shtëpiake, individualisht apo dy nga dy, duke ruajtur në këtë rast distancën e nevojshme 1,5 metra.
h) Shkuarja në vendbanimin e përhershëm.

Qytetarët janë të detyruar të kenë me vete në çdo lëvizje letërnjoftimin apo pasaportën, si dhe vërtetimin për lëvizjen.
Për çdo shkelje që do të konstatohet, kundravajtësit do të gjobiten me 150 euro.

Vërtetimet A dhe B
Për nevojat e lëvizjeve të kufizuara, janë krijuar dy lloje dokumentash.
I pari, vërtetimi i tipit A, ka të bëjë me lëvizjet e punonjësve. Ky dokument plotësohet vetëm një herë dhe firmoset nga punëdhënësi apo përfaqësuesi i ligjshëm në rastin e subjektit juridik.
Në rastin e profesionistit të lirë apo të vetëpunësuarit, nga vetë personi.
Vërtetimi përmban emrin dhe mbiemrin, adresën e banimit dhe të punës, si dhe orarin e fillimit dhe të mbarimit të punës.
Punonjësi e mban detyrimisht me vete, gjatë lëvizjes drejt dhe nga vendi i punës.

Për rastet e tjera, (shkuarje në supermarket, farmaci, bankë, etj.), dhe për çdo lëvizje të veçantë, qytetarët duhet të plotësojnë çdo herë formularin e tipit B, me emrin e mbiemrin, adresën e banimit dhe vendin se ku do të shkojnë, si dhe arsyen konkrete të lëvizjes.

Nga e hëna, 23 mars, nuk funksionojnë dhe ndalohet qëndrimi i qytetarëve në këndet e lojrave të fëmijve, terren e jashtme sportive, marinat e organizuara dhe parqet.
Ndalimi i qarkullimit nuk ndikon në funksionimin e bizneseve që qëndrojnë hapur deri më sot me vendim përkatës të shtetit (p.sh., supermerkata, furra buke, farmaci, pika karburanti etj.), përderisa funksionimi sa i këtyre bizneseve, aq edhe i shërbimeve publike që kanë mbetur hapur vazhdon normalisht, por duke pasur rreeptësisht parasysh udhëzimet për lëvizjen e punonjësve nga dhe drejt atyre.

Mjetet e transportit publik
Mjetet e transportit publik do të vazhdojnë funksionimin, me periodicitet të reduktuar gjatë ditës,  dhe gjatë orëve të lëvizjes së punonjësve.
Makinat private mund të qarkullojnë duke zbatuar kufizimet, me drejtuesin e mjetit dhe vetëm një pasagjer.

Ndaje me miqte